Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbajti takimin e parë të Bordit të Paqes për Gazën, një muaj pas nënshkrimit ceremonial të Kartës së Bordit në Davos, Zvicër. Sipas agjendës ky takimi ka për qëllim të diskutojë të ardhmen e Rripit të Gazës pas armëpushimit të brishtë midis Hamasit dhe Izraelit, si dhe të mbledhë fonde për rindërtimin e rajonit dhe ofrimin e ndihmës humanitare.
Në platformën e tij sociale, Truth Social, Trump njoftoi se anëtarët e bordit kanë premtuar tashmë 5 miliardë dollarë (4.2 miliardë euro) për këtë iniciativë.
Nga të paktën 60 vendet e ftuara, deri tani 27 e kanë pranuar ftesën, ndërsa nga vendet evropiane vetëm disa janë anëtare aktive. Mes tyre, Kosova ka marrë pjesë si anëtare e plotë, duke iu bashkuar edhe Bullgarisë, Hungarisë dhe Shqipërisë, ndërsa Italia, Qiproja, Greqia, Rumania dhe Bashkimi Evropian do të jenë vetëm vëzhgues, pa të drejtë vendimmarrjeje.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila u ftua, do të përfaqësohet nga Dubravka Suica, komisionerja për Mesdheun, për shkak të pyetjeve mbi statutin e bordit.
Projekti ka ngjallur kritika për strukturën e tij të dominuar nga SHBA dhe për ambiciet globale, ndërsa mungesa e pjesëmarrjes së shumë vendeve evropiane ngre pyetje mbi legjitimitetin dhe efektivitetin e bordit.
