Fundjava në Superligën e Kosovës ka dhuruar emocione të mëdha dhe lëvizje me rëndësi në tabelën e klasifikimit.
FC Prishtina po vazhdon e vetme marshimin në krye të tabelës pasi mposhti Gjilanin me rezultat 1–2 si mysafire, duke ruajtur ecurinë perfekte prej 18 pikëve të plota nga 6 ndeshje.
Nënkampionia dhe ndjekësja e parë, Malisheva, arriti një fitore tejet të vlefshme në shtëpi duke mposhtur Ballkanin me rezultat 2–1 dhe duke u konsoliduar në vendin e dytë me 16 pikë, derisa mysafirët nga Suhareka mbeten në kuotën e 10 pikëve.
Fitoren më bindëse të kësaj xhiroje e regjistroi Drenica, e cila dhuroi spektakël para tifozëve të saj duke e mposhtur Llapin me rezultat të thellë 4–0, rezultat ky që e ngjit Drenicën në kuotën e 9 pikëve dhe e lë Llapin në zonën e rrezikshme me vetëm 3 pikë.
Tri pikë tejet të rëndësishme në udhëtim mori edhe Drita, e cila mposhti Dukagjinin 1–2 në Klinë, duke u ngjitur në pozitën e katërt me 11 pikë, prapa Dukagjinit që qëndron i treti me 12 pikë.
Ndërkohë, Feronikeli mori një fitore shprese në shtëpi ndaj KF Vushtrrisë me rezultat 3–1, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve, përderisa vushtrriasit mbeten në fund të tabelës pa asnjë pikë të grumbulluar. /E.A/
