Mirlind Daku dhe Jasir Asani, sulmues të Kombëtares, kanë bërë një fundjavë të shkëlqyer duke ndihmuar skuadrat e tyre të arrijnë rezultate të rëndësishme dhe duke shënuar gola të bukur.
Mirlind Daku shënoi golin e barazimit për Rostov në ndeshjen e fundjavës ndaj Rubin Kazan, që përfundoi 1-1. Daku, i cili është shpallur njeriu i ndeshjes nga federata ruse dhe është zgjedhur si më i miri nga tifozët, ka bërë një nisje spektakolare të sezonit me 3 gola dhe 2 asiste në 4 ndeshje. Ai vazhdon të dëshmojë cilësitë e tij dhe të ndikojë në performancën e skuadrës së tij.
Ndërkohë, Jasir Asani kontribuoi në fitoren e Gwangjus ndaj Jeonbuk Motors, duke shënuar golin vendimtar në transfertë. Asani, i cili gjithashtu është shpallur si më i miri i ndeshjes, ka lënë pas problemet me klubin dhe është rikthyer në formën e tij më të mirë. Ky gol i jep 3 pikë shumë të rëndësishme skuadrës së tij dhe dëshmon rikthimin e tij të fuqishëm.
Të dy lojtarët janë pjesë e Kombëtares nën drejtimin e trajnerit Sylvinho dhe ishin gjithashtu pjesë e skuadrës në Euro2024. Me performancën e tyre të shkëlqyer, ka të ngjarë që të dy të ftohen në përfaqësimin e kombëtares për ndeshjet e Nations League në shtator ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë./UBTNews/