Një pjesëtar i Xhandarmërisë serbe që ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd është sulmuar me dy thika gjatë mesnatës. Sulmuesi u qëllua për mort nga polici në vetëmbrojtje, ndërsa Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, e ka cilësuar ngjarjen si sulm terrorist.
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:15 në lagjen Dedinje. Sipas Daçiqit, i dyshuari — që dyshohet të jetë një 15-vjeçar nga Shabaci — ka bërtitur “Allahu Akbar” gjatë sulmit. Polici ka pësuar lëndime të lehta në fytyrë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet serbe dyshojnë se sulmuesi ishte mbështetës i organizatës terroriste ISIS, duke u bazuar në simbolet e gjetura në rrjetet e tij sociale. Pas këtij incidenti, Serbia ka ngritur nivelin e kërcënimit terrorist në “të kuq”, me prani të shtuar policore në vendet publike dhe objektet strategjike.
Ky është incidenti i dytë i këtij lloji pranë kësaj ambasade, pas sulmit me hark ndaj një tjetër pjesëtari të Xhandarmërisë në qershor të vitit 2024. /E.A/
