UBT News

Suksesi në jetë qëndron te inteligjenca emotive

Inteligjenca emotive është aftësia për të menaxhuar dhe për të kuptuar emocionet tuaja. Kapërcimi i momenteve të vështira dhe njohja e vetvetes janë vetëm dy prej këshillave që e bëjnë jetën tuaj më cilësore dhe të suksesshme.

Inteligjenca emotive është aftësia për të njohur, për të kuptuar dhe për të kontrolluar ndjenjat tona dhe ato të të tjerëve. Përmes emocioneve, jemi të aftë që të forcojmë edhe intelektin, duke e bërë më të mirë cilësinë dhe rritur vetë suksesin e jetës sonë.

I pari që i ka dhënë një përkufizim është Daniel Goleman, psikologu dhe gazetari shkencor i “New York Times”, i cili në esenë e tij “Emotional Intelligence”, ka deklaruar: “Inteligjenca emotive është aftësia për të kontrolluar ndjenjat dhe emocionet vetjake dhe të të tjerëve, për të bërë dallimin mes tyre dhe për t’i përdorur këto informacione, për të udhëhequr mendimet dhe veprimet vetjake”.

Një studim i kryer nga instituti i teknologjisë “Canergie”, ka demonstruar se, 85 për qind e suksesit ekonomik të një personi varet nga aftësitë emocionale dhe jo nga njohjet e tij akademike. Në këtë mënyrë, koeficienti i inteligjencës kalon në plan të dytë, sepse ai mbetet i pandryshuar për të gjithë jetën.

Ndaj, inteligjenca emotive duhet të konsiderohet si sekreti i suksesit, sepse ajo mund të kultivohet duke na sjellë shumë avantazhe në përditshmërinë tonë. Zbuloni se si mund t’ia dilni:

1. Mos u brengosni

Ankthi demonstron pasiguri. Për të pasur kontroll më të mirë ndaj vetes, duhet të përqendroheni tek emocionet dhe të mësoni që të menaxhoni edhe ato negative. Të njihni dhe të pranoni veten dhe ndjenjat që ju rrethojnë, është një metodë e duhur për të reduktuar deri në minimum situatat e ankthshme.

2. Përmirësoni vetëvlerësimin

Preston Ni, profesori i departamentit të shkencave të komunikimit të kolegjit “Foothill”, ka deklaruar: “Është e vështirë që të ndiheni mirë me veten, kur ju nuk e njihni mjaftueshëm atë. Ndaj, kur ju e rrisni inteligjencën tuaj emotive, kontribuoni edhe te pozitiviteti i vlerësimit të unit tuaj”. Kështu që ju duhet të dini pikat tuaja të forta; cilësitë, por edhe dobësitë, sepse vetëm në këtë mënyrë ju mund të studioni strategjitë për të përmirësuar karakterin tuaj.

3. Menaxhoni emocionet negative

Inteligjenca emotive ju ndihmon që të menaxhoni emocionet tuaja, por në momente të forta stresi dhe presioni, tentoni të mbylleni në vetvete. Zemërimi dhe mbingarkesa emocionale në situata kritike, nuk ju lejojnë të mendoni në mënyrën më të mirë. Ndaj këshilla është që të numëroni deri në dhjetë, përpara se t’i përgjigjeni ose të përballoni një diskutim të rëndësishëm.

4. Ndërtoni marrëdhënie

Lumturia dhe vetëvlerësimi lidhen edhe me raportet sociale, me aftësinë për të pasur marrëdhënie të qëndrueshme dhe të kënaqshme me të tjerët. Komunikimi dhe hapja me të tjerët është një metodë e mirë për të përmirësuar gatishmërinë, dukjen dhe empatinë kundrejt të tjerëve. Pra, duke mësuar njohjen e emocioneve të të tjerëve, ju do të arrini që ta përmirësoni ndjeshëm jetën tuaj.

5. Kapërceni momentet e vështira

Inteligjenca emotive lidhet edhe me aftësinë për të ecur përpara pas një momenti të vështirë. Moslëshimi i vetes dhe përballimi i çdo situate negative, është sekreti për të stimuluar rezistencën tuaj mendore dhe për të mos u ndier asnjëherë të mposhtur. Duhet të jeni të fortë dhe të merrni në konsideratë faktin se, edhe eksperiencat e vështira, mund të jenë konstruktive.

Exit mobile version