UBT News

Sukses historik në Cannes: Filmi “Dua” i Blerta Bashollit pritet me duartrokitje në premierën botërore

Kinematografia e Kosovës ka shënuar një tjetër arritje të madhe në arenën ndërkombëtare. Filmi më i ri i regjisores së njohur Blerta Basholli, “Dua”, ka pasur mbrëmë premierën e tij botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cannes, në kuadër të seksionit prestigjioz “Java e Kritikës”.

Filmi sjell para publikut botëror një rrëfim prekës dhe të fuqishëm për Kosovën e viteve të 90-ta. Përmes një gërshetimi të artit, kujtesës dhe ndjeshmërisë njerëzore, “Dua” pasqyron jetën e një gjenerate që u rrit dhe u përball me represionin e egër, frikën e përditshme dhe mungesën e lirisë, duke e shndërruar kështu historinë tonë kolektive në një dëshmi të fuqishme artistike.

Premiera e mbrëmshme u përcoll me një interesim të jashtëzakonshëm nga publiku dhe mori vlerësime mjaft pozitive nga kritika ndërkombëtare e filmit. Kjo pritje e ngrohtë konfirmon edhe një herë hovin dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka marrë filmi kosovar vitet e fundit.

Ky përfaqësim dinjitoz në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë është një triumf i madh për regjisoren Blerta Basholli, ekipin e aktorëve dhe mbarë industrinë tonë të filmit.

 

 

Exit mobile version