UBT News

Sukses historik i vashave të Kosovës: Rritja më e madhe në botë në ranglistën e FIFA-s

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll (konkurrenca e femrave) ka shënuar një arritje të jashtëzakonshme në ranglistën e re të FIFA-s, të publikuar këtë të martë. Falë fitoreve radhazi ndaj Gjibraltarit, Kroacisë dhe dy herë ndaj Bullgarisë, Kosova ka grumbulluar 58.33 pikë shtesë – rritja më e madhe e regjistruar nga ndonjë kombëtare në botë që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Me këtë progres, Kosova ka avancuar për plot 11 pozita, duke u renditur tani në vendin e 81-të. Ky është rezultati më i mirë historik për ekipin e drejtuar nga Sami Sermaxhaj, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 2024, kur renditej në vendin e 91-të. Për krahasim, pozita mesatare e Kosovës ndër vite ka qenë vendi i 108-të.

Ndeshjet e fundit janë zhvilluar në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027. Aktualisht, “Dardanet” kryesojnë grupin në Ligën C. Ndonëse nga ky nivel nuk sigurohet kualifikimi direkt në Botëror, vendi i parë garanton: Pjesëmarrjen në fazën plejof për kualifikim. Ngjitjen në Ligën B për kampanjën e ardhshme.

Ndërkohë që Kosova shënon rritje, rivalja e grupit, Kroacia, ka pësuar rënie prej pesë pozitash (vendi i 66-të) pas humbjes nga Kosova. Kombëtarja e Shqipërisë mbetet në vendin e 71-të, pa lëvizje në renditje. Në majën e futbollit botëror për femra vazhdon të dominojë Spanja, e ndjekur nga SHBA-ja dhe Anglia.

Vlen të theksohet se ky sukses i vashave përkon me një formë të mirë të përgjithshme të futbollit kosovar, pasi edhe te meshkujt Kosova mban pozitën e saj më të mirë ndonjëherë (vendi i 78-të).

Exit mobile version