UBT News

Studim i përbashkët UBT – Universiteti i Mynhenit publikohet në revistë ndërkombëtare shkencore

Një bashkëpunim i rëndësishëm ndërmjet UBT-së dhe Universitetit Teknik të Mynhenit (Technical University of Munich) ka rezultuar me publikimin e një punimi shkencor në një revistë prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus dhe Web of Science, me faktor impakti 2.2.

Punimi me titull “Microbiological Analysis of Traditional Sausage in Prishtina, Republic of Kosovo, During Production and Storage”, është publikuar në revistën Microbiological Research (MDPI) dhe përfaqëson një nga studimet e para të këtij lloji në Kosovë, duke analizuar aspektet mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore të suxhukut tradicionalë kosovarë gjatë prodhimit dhe ruajtjes.

Studimi është realizuar nga një ekip ndërdisiplinar studiuesish, përfshirë:

Prof. Dr. Flutura C. Ajazi – UBT, autore e parë dhe correspondent e punimit

Prof. ass. Veton Haziri-UBT, autorë correspondent

Bashkëautorët: Rreze M. Gecaj, Sarah Shaqiri, Idriz Vehapi, Namik Durmishi, Xhavit Bytyçi dhe Violeta Lajqi-Makolli, në bashkëpunim me Prof. Dr. Matthias A. Ehrmann nga Universiteti Teknik i Mynhenit, Gjermani.

Qëllimi i studimit ka qenë vlerësimi i ndryshimeve mikrobiologjike gjatë fazave të fermentimit dhe ruajtjes së suxhukut tradicional të prodhuar në Prishtinë, me fokus në bakteret e acidit laktik (LAB) dhe familjen Micrococcaceae, të cilat kanë rol kyç në sigurinë dhe cilësinë e produktit.

Rezultatet treguan se gjatë procesit të ruajtjes ndodh një ulje e ndjeshme e baktereve patogjene si Enterobacteriaceae, ndërsa bakteret e dobishme (LAB) dhe Micrococcaceae mbeten stabile, duke dëshmuar se produktet tradicionale të prodhuara sipas metodave lokale ruajnë cilësi dhe siguri të lartë mikrobiologjike.

Gjetjet e këtij studimi ofrojnë dokumentacion të vlefshëm të praktikave lokale që mund të ndikojnë në cilësinë e produktit dhe afatin e ruajtjes. Në kontekstin e këtij studimi, autoret bejne thirrje tek autoritetet e sigurisë ushqimore të Kosovës qe të zbatojnë programe ndërgjegjësimi për prodhuesit e produkteve tradicionale të mishit, për të promovuar praktikat më të mira dhe për të siguruar prodhimin e produkteve të sigurta dhe me cilësi të lartë. Kjo është e nevojshme për të rritur cilësinë e suxhukut dhe produkteve të tjera të mishit të prodhuara me metoda tradicionale, përmes përmirësimit të parametrave të tyre higjienikë, etiketimit dhe paketimit, të cilat mund të ndikojnë në rritjen e eksportit dhe të vlerës së produktit.

Punimi është pranuar më 26 gusht 2025 dhe publikuar më 3 shtator 2025, nën redaktimin akademik të Prof. Dr. Beniamino T. Cenci-Goga.

Exit mobile version