UBT News

Studentët e UBT-së prezantojnë kreativitetin e tyre në ekspozitën “Whatever is Found Online, Do Not Look For Here”

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, është hapur ekspozita artistike “Whatever is Found Online, Do Not Look For Here”, një aktivitet që solli para publikut kreativitetin, imagjinatën dhe qasjen bashkëkohore të studentëve të Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale.

Ekspozita u hap në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, duke mbledhur studentë, profesorë, artistë dhe vizitorë të shumtë të interesuar për artin dhe dizajnin bashkëkohor.

Punimet e ekspozuara janë realizuar nga studentët në kuadër të lëndëve “Moduli i Pikturës” dhe “Vizatim Kreativ”, nën mentorimin e ligjëruesit Fatmir Mustafa, i cili ka udhëhequr studentët në zhvillimin e koncepteve artistike dhe eksplorimin e formave të reja të shprehjes vizuale.

Ekspozita është një gamë e gjerë punimesh artistike, të cilat trajtojnë perceptimin e realitetit digjital, ndikimin e internetit në kulturën vizuale dhe raportin mes hapësirës virtuale dhe asaj reale. Përmes qasjeve kreative dhe eksperimentale, studentët sollën interpretime unike artistike, duke reflektuar mbi mënyrën se si informacioni dhe imazhet online ndikojnë në përditshmërinë dhe identitetin modern.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, një platformë që synon promovimin e talenteve të reja, zhvillimin e mendimit kritik artistik dhe krijimin e hapësirave për prezantimin e punës së studentëve para publikut.

Exit mobile version