Studentët e Fakultetit të Medias, Fakultetit Juridik dhe atij të Studimeve të Sigurisë në UBT, patën mundësinë të marrin pjesë nga afër në debatin e zhvilluar ndërmjet kandidatëve për Komunën e Prishtinës, i transmetuar drejtpërdrejt nga RTV Dukagjini.
Ky aktivitet u organizua me qëllim që studentët të përfitojnë përvojë praktike dhe të njohin më mirë mënyrën se si zhvillohen debatet publike e politike në media, si dhe rolin e institucioneve të informimit në proceset demokratike.
Gjatë qëndrimit në ambientet e RTV Dukagjinit, studentët patën mundësi të shohin nga afër procesin profesional të organizimit dhe transmetimit të një debati televiziv, duke vëzhguar punën e gazetarëve, moderatorëve dhe stafit teknik. Përmes kësaj vizite, ata thelluan njohuritë e tyre për etikën e komunikimit publik, qasjen ligjore ndaj mediave dhe aspektet e sigurisë që lidhen me organizimin e ngjarjeve të tilla.
UBT vazhdimisht inkurajon përfshirjen e studentëve në aktivitete praktike që lidhen drejtpërdrejt me fushat e tyre të studimit, me qëllim që të përgatisë profesionistë të aftë dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e dialogut publik në zhvillimin demokratik të vendit.
