UBT News

Studentët dhe stafi i UBT-së prezantojnë krijimtarinë e tyre në “Medienfrische 2026” në Tirol të Austrisë

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të UBT-së dhe aktiviteteve të organizuara gjatë Ditëve të Artit dhe Dizajnit, studentët e programit Art dhe Media Digjitale (AMD), së bashku me stafin akademik të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, kanë mbërritur në Tirol të Austrisë për të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Medienfrische 2026”.

Në këtë festival, studentët do të prezantojnë punimet dhe projektet e tyre artistike përmes ekspozitave dhe prezantimeve kreative, duke përfaqësuar UBT-në në një platformë që bashkon artin bashkëkohor, mediat digjitale dhe shkëmbimin kulturor ndërkombëtar.

Pjesë e delegacionit të UBT-së janë edhe profesorët Uran Krasniqi dhe Besfort Salihu, të cilët po i mbështesin dhe mentorojnë studentët gjatë pjesëmarrjes së tyre në këtë ngjarje të rëndësishme artistike dhe kulturore.

“Medienfrische” konsiderohet një nga festivalet e njohura ndërkombëtare që promovon dialogun ndërmjet artit, medias, performancës dhe praktikave kreative bashkëkohore, duke krijuar mundësi për bashkëpunim dhe prezantim të artistëve të rinj nga vende të ndryshme të Evropës.

Pjesëmarrja e studentëve dhe stafit të UBT-së në këtë festival paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e krijimtarisë artistike, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe prezantimin e talenteve të reja në një mjedis ndërkombëtar.

Përmes aktiviteteve të tilla, UBT vazhdon të forcojë angazhimin e saj për ndërkombëtarizimin e arsimit, zhvillimin e praktikës profesionale dhe krijimin e mundësive të reja për studentët në skenën evropiane të artit dhe dizajnit.

Exit mobile version