Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmer, sot në vizitën e tij të parë në Shkup, tha se vendi është para një vendimi të rëndësishëm. Steinmer u shpreh se ndryshimet kushtetuese do të mundësojnë hapjen e qetë të kapitujve të negociatave.
Steinmer në fjalimin e tij në Kuvend u shpreh se për këtë temë do të bisedojë me deputetët e të gjitha grupeve parlamentare.
“Jam i sigurt se do të debatoni sërish me pasion dhe besim. Por ky ndryshim kushtetues ka të bëjë më shumë me marrjen e pikëve në një debat të brendshëm politik. Kjo është shumë më tepër se profilizimi partiako-politik apo personal. Tani nuk është koha për të rënë në formula të thjeshtuara dhe ngjyrime nacionaliste. Lutja ime është që të mos e humbisni qëllimin e ndjekur kaq gjatë”, tha Steinmer.
Presidenti Stevo Pendarovski, nga ana tjetër, porositi që te opozita të mbizotërojë vetëdija, shkruan AlsatM Sipas kreut të shtetit, procesi i ndryshimeve kushtetuese duhet të përfundojë sa më parë, sepse gjithsesi, siç shton ai, ka tridhjetë vjet që ka konsensus kombëtar për integrimin evropian.
“Nëse është e vërtetë që duan shumë integrim evropian, atëherë mendoj se duhet të funksionojë edhe ndërgjegjësimi i tyre dhe të votojnë ndryshimet kushtetuese nesër, pasnesër, pas një viti apo dy… Në demokraci ka ndryshim pushteti çdo herë dhe ata do të jenë në pushtet dhe do të kërkojnë të njëjtën gjë nga opozita e nesërme. Pse të mos e përfundojmë tani?”, deklaroi Pendarovski.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, presidenti gjerman tha se theksi i procesit të anëtarësimit të vendit duhet të jetë në çështjet e së tashmes dhe të ardhmes, e jo te çështjet historike dhe pengesat e reja.
Nga ana tjetër, Pendarovski theksoi se nëse procesi në të ardhmen nuk bazohet në histori, por në përmbushje të kritereve evropiane, vendi mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në kohë rekord.