Kompania e njohur e pajisjeve për lojëra, SteelSeries, ka lansuar gjeneratën e dytë të kufjeve të saj popullore pa tel – Arctis Nova 7 Gen 2, që sjell përmirësime të dukshme në performancë dhe funksionalitet.
Modeli i ri ofron kontroll audio në kohë reale dhe rritje prej 40% të jetëgjatësisë së baterisë, duke lejuar deri 54 orë përdorim të pandërprerë përpara se të kërkojë karikim përmes portës USB-C.
Për ata që nuk synojnë modelet më të shtrenjta – Nova Elite (599.99 dollarë) ose Nova Pro (349.99 dollarë), Nova 7 Gen 2 mbetet zgjedhja më e përballueshme në gamën e mesme me çmim 199.99 dollarë.
Duke ruajtur estetikën elegante të modeleve premium, kufjeve u mungon sistemi i baterisë së ndërrueshme, anulimi aktiv i zhurmës dhe stacioni bazë pa tel, por kompensojnë me veçori praktike dhe performancë të lartë.
Një nga risitë është audioja e njëkohshme përmes lidhjes 2.4GHz e Bluetooth, që u mundëson të përziejnë audion nga PC ose konsola e lojërave me atë të telefonit. Kufjet lidhen me PC, PlayStation, Xbox, Switch, telefon apo tablet nëpërmjet një dongle USB-C në formë “L”.
Nova 7 Gen 2 mbështet kontrollin e audios në kohë reale përmes aplikacionit celular Arctis, i cili përfshin mbi 200 parazgjedhje (presets) për lojëra të ndryshme që optimizojnë EQ-në audio sipas titullit.
Në kompjuter, përdoruesit mund të shfrytëzojnë SteelSeries GG për të ndërruar automatikisht parazgjedhjet audio në varësi të lojës.
Ashtu si modelet Nova Pro dhe Nova Elite, Nova 7 Gen 2 përfshin një mikrofon me anulim të zhurmës, që tërhiqet brenda kupës së kufjeve ose të çaktivizohet nëse përdoruesi preferon mikrofonin e jashtëm.
Arctis Nova 7 Gen 2 është në dispozicion me çmim 199.99 dollarë, dhe vjen në tre ngjyra: të bardhë, të zezë e magenta. /A.Z/UBT News/