Madonna, Shakira dhe grupi i njohur i K-popit, BTS, do të jenë yjet kryesorë që do të performojnë në spektaklin e pushimit mes pjesëve, të stilit Super Bowl, në finalen e Kupës së Botës këtë verë.
Turneu, i cili do të bashkëorganizohet nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, përfundon me finalen e madhe që do të zhvillohet në New Jersey më 19 korrik. BBC raporton se se ky spektakël do të zgjasë saktësisht 11 minuta.
Më parë kishte raportime se shfaqja mund të zgjaste më shumë se 15 minuta, gjë që bie ndesh me rregullat e lojës, të cilat specifikojnë se pushimi mes pjesëve nuk duhet ta kalojë këtë kohëzgjatje. Megjithatë, spektakli në finalen e Botërorit për Klube verën e kaluar në SHBA, mes Chelsea-t dhe Paris Saint-Germain, kishte zgjatur më shumë se 24 minuta. Performatat para ndeshjeve në ngjarje të mëdha si finalja e Ligës së Kampionëve tashmë janë bërë të zakonshme, por kjo do të jetë hera e parë që organizohet një shfaqje e tillë gjatë pushimit të pjesëve në një finale të Kupës së Botës.
Ylli kolumbian i muzikës pop, Shakira, do të publikojë këtë të enjte këngën e saj zyrtare për Kupën e Botës të titulluar “Dai Dai” — një shprehje italiane që do të thotë “shkojmë” ose “hajde” — në bashkëpunim me këngëtarin nigerian Burna Boy. Këngëtarja 49-vjeçare, e njohur për hitin “Hips Don’t Lie”, kishte realizuar gjithashtu këngën “Waka Waka (This Time for Africa)” për turneun e vitit 2010 në Afrikën e Jugut.
Nga ana tjetër, “Mbretëresha e Popit”, Madonna, artistja femër me më së shumti albume të shitura në historinë e muzikës, po përgatitet të lansojë albumin e saj të 15-të, “Confessions II”, më 3 korrik. Në prill, 67-vjeçarja bëri një paraqitje të papritur si mysafire gjatë koncertit të Sabrina Carpenter në festivalin e muzikës Coachella, ku kënduan në duet hitet “Vogue” dhe “Like A Prayer”.
Ndërkohë, shtatë anëtarët e grupit BTS janë artistët me më së shumti albume të shitura në historinë e Koresë së Jugut, me mbi 45 milionë kopje. Ata, së bashku me grupin Coldplay, arritën vendin e tretë në toplistat britanike me këngën “My Universe” në vitin 2021. Grupi po rikthehet në skenë pas një pauze trevjeçare në muzikë për të përfunduar shërbimin e tyre të detyrueshëm ushtarak, dhe do të jenë në mes të një turneu botëror prej 85 datash kur të performojnë në finale.
Në mars, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi se kjo shfaqje “do të jetë një moment historik për Kupën e Botës, i denjë për ngjarjen më të madhe sportive në botë”.
Spektakli i pushimit mes pjesëve është kuruar nga lideri i Coldplay, Chris Martin, dhe do të mbledhë fonde për Fondacionin Global të FIFA-s për Edukimin e Qytetarëve, një iniciativë që synon të sigurojë 100 milionë dollarë (73 milionë funte) për fëmijët në mbarë botën. /BBC/
