UBT News

SPAK i komunikon Belinda Ballukut akuzat përfundimtare, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka njoftuar se i ka komunikuar ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, akuzat përfundimtare në kuadër të hetimeve ndaj saj.

Sipas njoftimit të SPAK-ut, Balluku akuzohet për disa vepra penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tenderë publikë, korrupsionin, mosdeklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Prokuroria e Posaçme bën të ditur se ish-zyrtarja e lartë akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike, në bashkëpunim, në nëntë raste të ndryshme.

Ndaj saj rëndojnë gjithashtu akuzat për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë.

Një tjetër akuzë lidhet me refuzimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë dhe interesave private, vepër për të cilën Balluku akuzohet në dy raste.

SPAK-u e akuzon gjithashtu për pastrim të produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, lidhur me dy pasuri të paluajtshme.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se po vazhdon veprimet procedurale për komunikimin e akuzave edhe personave të tjerë të përfshirë në të njëjtën çështje penale.

Komunikimi i akuzave përfundimtare përbën një hap procedural në këtë çështje dhe nuk nënkupton shpalljen e fajësisë së ish-zyrtares.

D.L

Exit mobile version