Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të zbresin sot në rrugët e Shkupit për të protestuar sërish, me kërkesën e vetme që provimi i jurisprudencës t’u mundësohet edhe në gjuhën shqipe. Nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zë”, kjo protestë që është e dyta me radhë, do të fillojë në ora 16:30 para Urës së Gurit. Ky reagim i rinisë akademike vjen si pasojë e refuzimit të drejtpërdrejtë të kërkesës së tyre nga ana e ministrit të Drejtësisë.
Përmes një thirrjeje publike, organizatorët u kanë kërkuar artistëve, sportistëve dhe të gjitha figurave publike që t’u bashkohen në këtë marshim, duke theksuar se sot studentët kanë më së shumti nevojë për zërin dhe mbështetjen e tyre. Ata kanë sqaruar se ky tubim nuk është i drejtuar kundër askujt, por është një protestë paqësore për mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetit dhe të drejtave të tyre si qytetarë të barabartë. Studentët po bëjnë thirrje për një bashkim masiv në krah të rinisë dhe mbrojtjes së të drejtave kombëtare në institucione.
Në anën tjetër, pas presionit të paralajmëruar nga studentët, kryeministri Hristijan Mickoski ka njoftuar se ekzekutivi tashmë po shqyrton mënyrat për të adresuar këtë kërkesë legjitime të studentëve shqiptarë. Ai theksoi se qeveria po punon intensivisht për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme ligjore dhe paralajmëroi se shumë shpejt para opinionit do të prezantohet një propozim konkret lidhur me këtë çështje, me qëllim që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
