Marrëveshja e re ushtarake midis Greqisë dhe Francës që do të nënshkruajnë mëngjesin e sotëm në orën 10:00 do të krijojë një situatë të re në Mesdheun Lindor.
Ajo është quajtur edhe një “Mega marrëveshje” pasi ka një vlerë prej 5 miliardë eurosh dhe sjell në detet greke 3 fregata franceze Belharra, 3 korveta Gowind por edhe një marrëveshje historike ushtarake midis Greqisë dhe Francës.
Detajet e marrëveshjes u diskutuan në darkën e djeshme të presidentit francez dhe kryeministrit grek, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos dhe ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, kanë pasur në Paris diskutime dhe takime me homologët e tyre francezë.
Aspekti më themelor i marrëveshjes është Doktrina e Ndihmës së Mbrojtjes, sipas së cilës nëse një nga dy vendet kërcënohet ose provokohet, atëherë vendi tjetër do ta ndihmojë atë ushtarakisht.
Me fjalë të tjera, në rast të një episodi të nxehtë me Turqinë, Franca do të jetë në gjendje të dërgojë forca ushtarake, aeroplanë, anije, ushtri tokësore për të mbrojtur të drejtat sovrane të Greqisë.
Doktrina e Ndihmës së Mbrojtjes siç shprehen analistët grekë ka implikime politike dhe diplomatike, ndaj ngre një mur parandalues kundër provokimit turk.
Në një intervistë për ERT nga Parisi dje në mbrëmje, kryeministri Mitsotakis i pyetur nëse ekziston mundësia e një episodi të nxehtë me Turqinë, ka deklaruar se përderisa kishim një verë të qetë, nuk sheh asnjë arsye pse nuk duhet të kemi një vjeshtë të qetë dhe një dimër të qetë.
“Ka çështje që ne mund të bashkëpunojmë me Turqinë- ka thene ai duke shtuar se – I vetmi mjet për zgjidhjen e problemeve tona është e drejta ndërkombëtare dhe Turqia e di shumë mirë se cilët janë kufijtë tanë, qe nuk janë vetëm kufijtë e Greqisë, por edhe te Evropës. Unë gjithmonë preferoj të shoh anën pozitive të gjërave”- ka shtuar ai duke theksuar se Greqia ka një detyrim për të forcuar aftësinë e saj parandaluese dhe e bën këtë në një mënyrë shumë sistematike dhe thelbësore, gjithmonë brenda kuadrit të kufizimeve te saj buxhetore.
“Nuk kam asnjë tendencë për të hyrë në një garë armatimi me Turqinë. Ky nuk është qëllimi im. Por ka çështje kryesore me modernizimin e forcave të armatosura, pas një dekade krize, të cilat unë kam një përgjegjësi t’i trajtoj dhe pastaj t’ia kaloj pasardhësit tim, sepse ju e dini që këto janë vendime për programet e armatimit që kanë një horizont të gjatë. Unë do t’i dorëzoj pasardhësit tim forca të armatosura më të fuqishme”- ka deklaruar Mitsotakis.
Marrëveshja e re ushtarake konsiderohet nga më të mëdhatë të nënshkruara ndonjëherë në 40 vitet e fundit në Greqi.