Sot, në orën 10:00, do të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë, hera e parë kjo pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Seanca do të nisë nën drejtimin e kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe në të do të shqyrtohen disa projektligje të kthyera nga Presidenti Ilir Meta.
Në rendin e ditës të firmosur nga Ruçi nuk është parashikuar çështja e shkarkimit të Metës, por kjo nuk e përjashton që të futet në rend të ditës nga seanca plenare.
Kjo është hera e dytë që mazhoranca do të nisë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Herën e parë, gjithçka nisi për shkak të çdekretimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Sot, kjo procedurë ka nisur pas luftës që Meta hapi ndaj SHBA-së dhe ambasadores Yuri Kim, si edhe daljes së tij totalisht nga roli i kreut të shtetit dhe përfshirjes së tij në fushatë në shkelje të Kushtetutës, asaj që Meta përbetohet se po e mbron me gjak dhe dinjitet, shkruan TopChannel.
Kujtojmë se mandati i deputetëve aktualë në Kuvendit të Shqipërisë, përfundon në muajin shtator, kohë në të cilën pritet që të bëhet edhe betimi i ligjvënësve të rinj.