UBT News

Snoop Dogg thotë se i kërkoi falje Eminemit, i dha fund grindjes mes tyre

Miqësia e gjatë me dekada mes Snoop Dogg dhe Eminemit ‘u zbeh’ vitin e kaluar kur Snoop Dog gjatë një paraqitjeje në “The Breakfast Club” përmendi dhjetë reperët më të mirë të të gjitha kohërave sipas tij, duke lënë jashtë reperin Eminem.

Në atë intervistë Snoop Dogg tha se Eminemin e konsiderojnë të gjithë si reper që bën pjesë në topdhjetëshen e reperëve më të mirë për shkak të Dr.Dre.

“[Dr. Dre] ndoshta e vendosi Eminem në pozicionin që ai do të konsiderohej një nga dhjetë reperët më të mirë ndonjëherë”, tha Snoop për “The Breakfast Club” në verën e vitit 2020. “Unë nuk mendoj kështu, por ai mendon se është një top ndër dhjetë top tekstshkruesit. Kjo është vetëm sepse ai është me Dr. Dre”, deklaroi ai.

Kjo nuk i kishte pëlqyer reperit Eminem, i cili përmes albumit “Music To Be Murdered By: Side B.”, iu kundërpërgjigj atij.

E së fundi Snoop Dogg u paraqit në një intervistë në “The Breakfast Club”, ku tregoi se si i dhanë fund grindjes me Eminemin. Ai tha se kishin pasur një bisedë të gjatë në të cilën Snoop-i kërkoi falje atij.

“Unë e dua Eminemin! Ne të dy e duam hip hopin shumë, ne jemi kundërshtarë, ne luftojmë, kështu që ajo ndikoi te ai. Ne jemi vëllezër dhe ne dimë ta vlerësojmë njëri-tjetrin, andaj ne biseduam goxha shumë rreth respektit që e kemi për njëri-tjetrin dhe mënyrën se si duhet të flasim në publik për njëri-tjetrin”, deklaroi ai.

“I kërkova falje dhe i tregova se po e përmirësoj veten. Bëj gabime, s’jam perfekt, jam Snoop Dogg”, shtoi ai më tej.

Ky reagim i reperit Snoop Dogg u duartrokit nga fansat e tij./UBTNews

Exit mobile version