UBT News

Skënder Latifi promovon librin që dokumenton 175 vjet histori të Luginës së Preshevë

Vepra monumentale e Skënder Latifit ka bashkuar shqiptarët në qendër të Preshevës, me librin që zbardh, përmes fakteve dhe materialeve arkivore, fatin e këtyre trojeve. Libri “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës”, botuar nga Botimet KOHA vitin e kaluar, është cilësuar si një akt patriotik e shkencor dhe një studim i thelluar për jetesën e mbijetesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Vepra sfidon drejtpërdrejt historiografitë zyrtare të shteteve fqinje, ndërsa autori ruan një qasje të ftohtë analitike, duke iu qëndruar besnik burimeve dhe dokumenteve arkivore.

Pas promovimit në Prishtinë në dhjetor të vitit të kaluar, libri është përuruar më 1 gusht edhe në Preshevë, vendin historinë e të cilit e trajton në mënyrë të detajuar. Ashtu si vetë libri, edhe ceremonia e promovimit theu format tradicionale. Në zemër të qytetit, në një ambient të hapur, ngjarja u shndërrua në një bashkëbisedim mes autorit, studiuesve dhe publikut.

Vepra, e cila trajton periudhën nga viti 1843 deri në vitin 2018, u botua fillimisht nga Botimet KOHA në kuadër të ceremonisë së ndarjes së çmimeve vjetore “Rexhai Surroi”. Që atëherë është vlerësuar si një studim madhor, i ndërtuar me rigorozitet shkencor, çka dëshmohet edhe nga rreth 1 mijë e 500 fusnota. Rrëfimi nis në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, kur Lugina e Preshevës shfaqet si një territor i lakmuar dhe i instrumentalizuar nga fuqitë e kohës.

Libri mbështetet në materiale arkivore osmane, serbe, bullgare, maqedonase, gjermane, britanike dhe shqiptare, rezultat i një pune shumëvjeçare kërkimore.

Autori Skënder Latifi tha se libri është fryt i një pune pesëvjeçare.

“Librin që lexuesit e kanë në dorë qysh prej dhjetorit e kam punuar për një periudhë kohore prej pesë vjetësh. Nuk po i llogaris hulumtimet që ia kam bërë shtypit e arkivave dhe nuk po e llogaris edhe mbledhjen e dëshmive gojore të cilat i kam përdorur si burime në libër. Do të thotë është një punë e imja pesëvjeçare e cila është kapitalizur, sipas mendimit tim, në mënyrën më të mirë sidomos me cilësinë e botimit që e ka bërë shtëpia botuese ‘KOHA'”, ka thënë Latifi.

Ai theksoi se gjatë punës është përpjekur ta trajtojë temën pa emocione, duke u mbështetur vetëm në fakte.

“Gjatë hulumtimit, përpunimit të fakteve jam përpjekur që njëkohësisht ta dua dhe ta kuptoj thellë Luginën e Preshevës. Feridi e përmendi, tash mos të hyjmë në detajizim pse Luginë e Preshevës, pse Kosovë Lindore? Lugina e Preshevës është pjesë, vazhdimësi territoriale e Vilajetit të dikurshëm të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Më tej, Latifi shtoi se qëllimisht ka mbajtur një qasje të ftohtë ndaj temës.

“Kam qëndruar ftohtë ndaj temës që e kam trajtuar. Kam qëndruar ftohtë mu për faktin se kam dashur që lexuesin e huaj apo një ndërkombëtar, apo kush e merr ta lexojë, mos ta përziej me emocionet tona që i kemi këtu, emocionet e përditshme”, është shprehur autori.

Në 566 faqe, libri dokumenton procesin e riformësimit të kufijve administrativë, duke argumentuar se ata nuk kanë qenë vetëm ndarje teknike, por edhe mjete politike për ndryshimin e përbërjes demografike dhe zhbërjen e identiteteve ekzistuese.

Studiuesi Ferid Selimi e cilësoi librin si një studim të thelluar për jetesën dhe mbijetesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Ajo që e veçon punën e Skënderit është se nuk i komenton të tjerët. E shkruan ashtu siç ata e kanë thënë e shkruar, ndërkohë që ky pastaj e zbërthen, e bën një analizë të vetën”, ka thënë Selimi.

Ai vlerësoi gjithashtu bazën e gjerë dokumentare të veprës.

“Për të marrë një kuptim të plotë, të detajuar e të besueshëm të pikëpamjeve të autorit, studimi në vete ngërthen literaturë të bollshme, duke nisur nga dokumentet arkivore, studimet e botuara, librat, letrat, bisedat e intervistat me intelektualë e njerëz të rëndomtë të kohës, që shpalosin të dhëna e fakte të bollshme për temën në fjalë”, ka shtuar ai.

Gazetari dhe publicisti Emin Azemi e cilësoi veprën si një rishikim të plotë të historiografisë së Luginës së Preshevës, të ndërtuar mbi dokumente dhe analiza gjeopolitike.

“Përmes arkitekturës së pasur burimore, autori ndjek pulsin e historisë që nga Luftërat Ballkanike, e deri te diplomacia moderne e epokës Trump. Pas leximit të kësaj vepre, në kujtesë ngulitet ajo vetmi e madhe historike, në të cilën u lanë këto hapësira etnike, duke përfshirë edhe plagën e sotme të pasivizimit të adresave”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, libri shmang çdo retorikë emocionale dhe romantike, duke marrë vlerën e një akti të lartë patriotik e shkencor, pasi dokumenton në mënyrë të detajuar proceset historike që kanë prekur Luginën e Preshevës.

Në promovim morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, të Bashkësisë Islame të Preshevës, sektorit joqeveritar, studiues e qytetarë. Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, përmes një mesazhi, vlerësoi rëndësinë e veprës për dokumentimin e historisë dhe trashëgimisë së Luginës së Preshevës.

Duke shkëputur pjesë nga recensioni i tij, Emin Azemi tha se:

“Ky kërkim i zgjeruar historiografik ofron bazë të gjerë dokumentare që nxit reflektim të thellë mbi memorien kombëtare.”

Me këtë vepër, Skënder Latifi synon të thyejë harresën dhe të nxisë reflektim mbi historinë e Luginës së Preshevës. Ndërkohë, ai ka bërë të ditur se do të vazhdojë hulumtimet në arkiva, punë që tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë së tij./A.K/

Exit mobile version