Ekspozita e skulpturave dhe kukullave artizane që përshkruan historitë e ish-të burgosurve në Spaç shënon një moment të rëndësishëm për të mbajtur gjallë kujtimet dhe për të nderuar vuajtjet e tyre nën regjimin diktatorial. Duke kombinuar artin me historinë, kjo ekspozitë sjell përpara publikut portrete të rralla dhe histori të mahnitshme, duke e bërë të mundur që brezat e ardhshëm të mësojnë dhe të kuptojnë kohën e errët të historisë së tyre kombëtare.
Në një ngjarje të rrallë, historia e 49 ish-të burgosurve politik në Spaç u ngrit në piedestalin e artit, në formën e një ekspozite të veçantë. Portretet e tyre, të krijuara me delikatesë me përdorimin e allçisë, shkëlqyen në dritën e ekspozitës, duke sjellë përpara syve historitë e tyre të mrekullueshme dhe rrugën e tyre të dhimbshme nëpër burgjet e regjimit të ashpër.
Hysen Ismailhaxhiaj, një nga ish-të burgosurit, që kishte kaluar 20 vite të jetës së tij nën hijen e Spaçit, ishte një prej tyre. Me zë të qartë dhe me fytyrën e përmbledhur nga vuajtjet, ai shpërthente një fjalë të fortë: “Ky sistem nuk mund të jetohet, është i papranueshëm”.
Historia e tij, e përcjellë nëpërmjet kësaj ekspozite, ishte një thirrje për të mos harruar gjakun dhe vuajtjet e atyre që kishin përballuar të njëjtën shteg të vështirë.
Bajram Dyrmishi, një tjetër ish-i burgosur, kujtonte me trishtim vitet e tij në burgun e Spaçit.
“Kam qenë nga viti 77-82. U dënova 7 për propagandë. Nuk bëra asgjë, por na fusnin kot në burg. Ruheshim. Jam nga Skrapari. U dënova sikur isha kundra partisë. 47 vjeç isha kur u dënova dhe me fëmijë. Punoja specialist ndërtimi. Më keq skishte. Punonim 3 turne. Futeshim nën tokë dhe nxirrnim bakër. Mërzitesha shumë. Njëherë më erdhi gruaja. Ata që vdisnin i cconin në një gjysmë metre. Më kanë vdekur shumë njerëz të njohur. Për ne që punonim ushqimi ishte mirë, ata që nuk punonin ishte keq”, tha Bajram Dyrmishi ish-i burgosur politik, 95 vjeç.
Edhe Gjon Prendi, me historinë e tij të rrugës nëpër burgjet komuniste ndau tregimin e tij. Nëpërmjet ekspozitës, ai dhe të tjerë si ai u bënë dëshmitarë të një periudhe të errët në historinë e Shqipërisë. Por më e veçanta ishte forma se si këto histori u transmetuan nëpërmjet artit. Kukullat artizanale, me fytyra të ngulitura në shprehje të ndryshme, sjellën përpara pamjet e tyre si figura të ndryshme nga një pasqyrë e shkatërruar e kohës. Çdo kukullë, një histori; çdo ekspresion, një vuajtje e fshehur nën hijen e kujtimit.
Kuratorët e kësaj ekspozite udhëtuan nëpër 8 qytete të vendit, për të grumbulluar jo vetëm portrete dhe kukulla, por edhe historitë personale të ish-të burgosurve. Kjo ekspozitë nuk ishte vetëm një shfaqje e artit, por një ftesë për të reflektuar mbi një periudhë të errët në historinë e Shqipërisë dhe për të nderuar atë që vuajtën dhe përjetuan në këto burgje simbolike./UBTNews/