UBT News

Situata e licencimit të FFK-së, flet ministri Çeku

Në konferencën e sotme për media pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku foli rreth situatës së licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Licencimi i FFK-së së fundmi është bërë tema më e përfolur në vend, ku MKRS ende nuk ka dhënë dritën e gjelbër për licencimin e kësaj federate.

Çeku në konferencën e sotme tha se deri tani janë licencuar nëntë federata, kurse Federata e Futbollit është një nga mbi 15 federatat e tjera që janë në procedurë të licencimit.

Po ashtu, ministri Çeku tha se në fillim të vitit të ardhshëm pritet të kompletohet procesi i licencimit të gjitha federatave të sportit.

“Licencimi është duke vazhduar si proces nga vera e këtij viti kur është miratuar udhëzimi i ri administrativ. Deri dje janë licencuar 9 federata, të fundit ishin volejbolli basketbolli dhe atletika që i morën licencat zyrtarisht nga ministria e sportit. Federata e Futbollit është një nga mbi 15 federatat që janë në procedurë të licencimit dhe po ndodh ajo e zakonshmja, komisioni i licencimit po i dërgon komente për plotësime të dokumenteve dhe të kritereve të caktuara, dhe unë besoj që me këtë dinamikë të punës nga pjesa e parë e vitit të ardhshëm do të mbyllet komplet licencimi i federatave të sportit”, tha Çeku.

Në lidhje me këtë rast, presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka thënë se do të kompletohet së shpejti dorëzimi i dokumenteve për licencim, si dhe procesi i licencimit do të përfundoj brenda këtij viti.

Exit mobile version