UBT News

Siguria kibernetike, Kim: Mbështesim Shqipërinë ndaj kërcënimeve të ardhshme

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, sot ka siguruar se SHBA-të do të vijojnë të mbështesin Shqipërinë për mbrojtjen kibernetike dhe se ndihma prej 50 milionë dollarësh që shkojnë në këtë sektor, janë vetëm fillimi.

Kim është shprehur se SHBA do punojë krah për krah me Shqipërinë për të siguruar një mbrojtje efektive kibernetike ndaj kërcënimeve të ardhshme.

Kim e ka konsideruar sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë, si një kërcënim për popullin shqiptar, shkruan Rtsh.

“Sulmet kibernetike të Iranit, ishin dashakeqe dhe janë një kërcënim për popullin shqiptar. SHBA-të nuk do hezitojnë t’i përgjigjen me forcë aktorëve keqdashës kibernetikë kur veprimet e tyre kërcënojnë SHBA-të ose aleatët. Menjëherë pas sulmit të korrikut, SHBA-të ndërmorën veprime për të mbështetur shqipërinë. Sekretari i shtetit dhe këshilltari i sigurisë kombëtare, i përcollën Ramës mbështetjen tonë dhe Shtëpia e Bardhë dënoi ashpër sulmin e Iranit dhe shprehu mbështetjen e plotë për Shqipërinë. Departamenti i Thesarit të SHBA-ve, njoftoi sanksione domethënëse ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Iranit, përfshi Ministrin e Inteligjencës. Duke filluar nga muaji korrik, SHBA-të kanë dërguar vazhdimisht pa ndërprerje ekspertët tanë më të aftë të sigurisë kibernetike për të punuar së bashku me homologët shqiptarë. Për të analizuar, identifikuar dobësitë dhe kërcënimet ekzistuese dhe të mundshme, si dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e sigurisë kibernetike të Shqipërisë, ndaj kërcënimeve të ardhshme”, ka thënë ajo.

Kim ka deklaruar se SHBA-të dhe Shqipëria duhet të identifikojnë mbrojtjen tonë kolektive kundër sulmeve kibernetike dhe reagimin ndaj tyre.

“Ndihma jonë kibernetike arrin në 50 milionë USD në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. Ne kemi qenë duke punuar bashkë në sektorin e mbrotjes me 25 mln usd mbështetje. Ky është fillimi i asistencës dhe nuk është plotësia e saj. Do bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të siguruar që ju të mbroni veten”, ka thënë Kim.

Exit mobile version