UBT News

Shtyhet nisja e vitit të ri shkollor në Shqipëri

Nisja e vitit të ri shkollor 2021-2022 do të shtyhet për dy javë në Shqipëri. Kështë bërë i ditur nga ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila në një deklaratë për mediat ka bërë me dije se mësimi do të nisë në datë 27 Shtator, por shkolla do të jetë e hapur që më datë 1 shtator.

Arsyeja e shtyrjes është zhvillimi i mësimit plotësues nga data 1 shtator deri më 27 shtator, kur dhe nis zyrtarisht viti shkollor.

“Mësimi plotësues do të ishte shumë më tepër rezultativ nëse do të zgjerohej me 2 javë të tjera në muajin shtator dhe nxënësit do të jenë më shumë të përgatitur për vitin e ri shkollor. Kemi vendosur që viti i ri shkollor të mos fillojë në datën 13 por në datën 27 shtator dhe këtë shtyrje prej 2 javësh ne e kemi reflektuar edhe në strukturën e vitit shkollor për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar. Për arsimin bazë mbyllja e vitit shkollor shtyhet nga data 8 në datë 17 qershor 2022. Për arsimin e mesëm të lartë mbyllja shythet nga data 15 në 24 qershor 2022. Për maturantët mbyllja shtyhet nga data 1 në 8 qershor 2022. Shkolla do të jetë e hapur që në datë 1 shtator dhe mësuesit do të jenë aty me kohë të plotë”, tha ministrja Kushi.

Gjatë intervalit 1 – 27 shtator, shkollat do të jenë të hapura për të gjithë nxënësit që dëshirojnë të zhvillojnë mësim plotësues apo që kanë mangësi nga viti i kaluar për shkak të kushteve të pandemisë. Por prezenca e nxënësve nga 1 shtatori deri me 27 shtator nuk do të jetë e detyrueshme, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore. /tvklan.al/

Exit mobile version