Një moment i veçantë dhe plot krenari për komunitetin shqiptar është shënuar në një nga arenat më të mëdha të basketbollit në botë, gjatë një ndeshjeje të NBA.
Para përballjes mes Chicago Bulls dhe Phoenix Suns në United Center, ansambli i komunitetit shqiptar në Illinois dhuroi një performancë mbresëlënëse me këngë dhe valle tradicionale.
Tingujt e muzikës shqiptare pushtuan sallën, ndërsa valltarët të veshur me kostume kombëtare sollën energji dhe emocion në parket. Publiku amerikan mbeti i mahnitur nga ritmi dhe gjallëria e valleve, duke e kthyer këtë moment në një spektakël të rrallë në skenën e NBA-së.
Kjo natë e dedikuar komunitetit shqiptar dëshmoi edhe një herë se kultura shqiptare nuk njeh kufij nga Shqipëria dhe Kosova deri në zemër të Chicago.
Momenti i veçantë tashmë po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke treguar para botës bukurinë dhe pasurinë e traditave shqiptare.
