Shqipëria është zgjedhur anëtare e Komitetit Ndërqeveritar të UNESCO-s për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, duke shënuar një vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për angazhimin e saj në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili theksoi se zgjedhja përfaqëson njohje të rolit aktiv të vendit brenda UNESCO-s.
Sipas tij, Shqipëria ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm në ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore tek brezat e ardhshëm, duke kontribuar në mbrojtjen e identitetit dhe diversitetit kulturor.
Hoxha rikujtoi se disa prej vlerave më të njohura të trashëgimisë shqiptare tashmë janë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, përfshirë Iso-polifoninë shqiptare, Xhubletën, K’cimin e Tropojës dhe Transhumancën.
Ai falënderoi shtetet anëtare të UNESCO-s për mbështetjen dhe besimin e dhënë ndaj Shqipërisë, duke theksuar se vendi do të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë për avancimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore jomateriale.
Përmes këtij mandati, Shqipëria pritet të luajë një rol më të madh në promovimin dhe ruajtjen e vlerave kulturore në nivel ndërkombëtar gjatë viteve të ardhshme.
