UBT News

Shqipëria synon mbylljen e 10 kapitujve të parë me BE-në: Plotësohen 27 piketa kyçe

Shqipëria ka hyrë në një etapë intensive teknike drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke u fokusuar tashmë në përmbushjen e detyrimeve konkrete ekonomike dhe shoqërore. Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka bëri të ditur se vendi po punon për mbylljen teknike të 10 kapitujve të parë, të cilët mbulojnë 27 nga 101 piketat totale të përcaktuara nga Brukseli.

Sipas ministres Dhuka, Shqipëria ka bërë hapa domethënës në fusha si marrëdhëniet me jashtë, kërkimi shkencor dhe arsimi, për të cilat pritet vlerësimi përfundimtar nga Komisioni Evropian. Përparim është shënuar edhe në kapitujt që lidhen me pronësinë intelektuale, prokurimin publik dhe politikat monetare. Deri më tani, janë realizuar 92 nisma të rëndësishme që kanë mundësuar përmbushjen e 24 piketave të ndërmjetme, duke marrë vlerësime pozitive nga partnerët evropianë.

Një peshë të rëndësishme në këtë proces luan reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit. Dhuka vlerësoi rolin e Kuvendit në miratimin e ligjeve për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe nismat për lobimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit. Paralelisht, vëmendje u është kushtuar të drejtave themelore, mbrojtjes nga diskriminimi dhe forcimit të lirisë së medias përmes ndryshimeve në Kodin Penal.

Në përfundim, Kryenegociatorja theksoi se Shqipëria po dëshmon seriozitet institucional në ndërtimin e një shteti që garanton rendin dhe drejtësinë sipas standardeve të BE-së. Sipas saj, kalimi nga faza e besimit politik në atë të rezultateve teknike është prova më e madhe e progresit të vendit në rrugën evropiane.

 

Exit mobile version