Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe SHBA pritet që gjatë ditës së sotme të bëjnë me dije se cilat janë sanksionet që do të ndërmerren ndaj Rusisë.
Aksioni vjen pas vendimit të presidentit Putin për të njohur dy rajonet separatist të Ukrainës Lindore. Madje ministri britanik i Shëndetësisë u shpreh se pushtimi i Ukrainës nisi.
Nën një zë aleatët perëndimor e cilësuan dekretin e Putin një shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut po ashtu dënuan vendimin e presidentit rus, duke e cilësuar shkelje të sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës.
“Shqipëria dënon njohjen e pavarësisë nga Rusia, të rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk. Kjo është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar, e marrëveshjes së Minskut si dhe cënim i integritetit territorial dhe pavarësisë së Ukrainës. Shqipëria qëndron krah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, në mbështetje të Ukrainës”, ka shkruar në rrjete sociale ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka.