Shqipëria ka hedhur hapin e parë zyrtar drejt adoptimit të monedhës euro, duke nisur përgatitjet konkrete ligjore për këtë proces.
Sipas projektligjit të ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili tashmë është publikuar për konsultim publik, parashihet integrimi i vendit në Eurozonë dhe rregullimi i funksionimit të bankës qendrore pas këtij hapi madhor.
Për herë të parë, ky draft përfshin një kapitull të veçantë që përcakton rregullat e reja të operimit nga dita e prezantimit të euros si monedhë zyrtare e Republikës së Shqipërisë.
“Euro do të bëhet njësia monetare e vendit, ndërsa Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane.”
Krahas menaxhimit të qarkullimit të kartëmonedhave, projektligji i ri i jep autoritet Bankës së Shqipërisë që të përcaktojë edhe dizajnin e veçantë të monedhave metalike euro që do të emetohen nga shteti shqiptar, gjithnjë duke respektuar standardet dhe rregulloret strikte evropiane. /A2Cnn/
