Ministria e Mbrojtjes njofton se në vendin tonë aktualisht ka 6 vatra aktive. Mësohet se zjarri në Gadishullin e Karaburunit vijon të jetë aktiv dhe po vazhdon operacioni sërish sot për shuarjen e vatrave.
Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij, ndërsa sot ka filluar operacioni për shuarjen e plotë të tij.
Po ashtu bëhet me dije se vijon zjarri edhe në Fushë Arrëz dhe në ndihmë të punonjësve vendorë ka shkuar edhe mbështetja me efektivë nga Forcat e Armatosura.
Në fshatin Lukan, në Dibër flakët momentalisht janë izoluar. Në fshatrat e Njësisë Administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë. Operacioni po vijon për shuarjen përfundimtare të tyre.
Në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht. Ka vijuar operacioni me te gjitha forcat operacionale.
Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Gadurovë- Selishtë, bashkia Mallakastër. Është shuar edhe zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre në Qafë Murrë, bashkia Dibër si dhe në Malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë./tvklan.al