UBT News

Shqipëria mposht San Marinon dhe merr kryesimin e grupit

Kombëtarja e Shqipërisë ka arritur një fitore të lehtë e të pritur ndaj San Marinos me rezultat të pastër 3:0, në përballjen e zhvilluar të martën mbrëma në kuadër të Grupit C1 në Ligën e Kombeve.

Me këtë triumf, kuqezinjtë janë ngjitur në pozitën e parë të grupit me gjashtë pikë të grumbulluara. Në këtë takim u veçua edhe sulmuesi Anis Mehmeti, i cili realizoi golin e parë të epërsisë, që njëkohësisht ishte edhe goli i tij i parë me fanellën e kombëtares.

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Rolando Maran, u shpreh i kënaqur me rezultatin dhe reagimin e skuadrës, megjithëse pranoi se në pjesën e dytë ekipi u mjaftua me menaxhimin e lojës.

“Më pëlqeu padyshim pjesa e parë, ku ishim më shumë të rrëmbyeshëm. Në të dytën ishim pak në menaxhim dhe ekipi ynë nuk është i tillë. Por është e vërtetë që kishim lojtarë me karton, ndonjë që vinte nga dëmtimi, ndaj ngadalësuam pak,” deklaroi Maran pas ndeshjes.

Tekniku italian theksoi gjithashtu se fokusi i lojtarëve ishte pashmangshëm te sfida e radhës:

“Bëmë 3 gola, duhet të bënim më shumë se kishim raste. Në të dytën shkuam në menaxhim, me mendje ishim në Finlandë. Por skuadra hyri për të bërë rezultat, ia doli. Janë ndeshje ku duhet të provojmë të rinjtë për të qenë të vlefshëm dhe përfitova nga kjo”.

Exit mobile version