UBT News

​Shqipëria merr drejtimin e Komitetit Monitorues të “Interreg Europe”, si kandidat i parë në këtë rol

Shqipëria merr për herë të parë drejtimin e Komitetit Monitorues të programit “Interreg Europe”, duke u bërë vendi i parë kandidat për Bashkimin Europian që mban këtë rol.

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës e konsideroi këtë një hap historik që reflekton rritjen e rolit tonë në bashkëpunimin ndërajonal evropian.

“Me 34 partneritete aktive dhe mbi 30 organizata pjesëmarrëse, Shqipëria po kontribuon realisht në fusha si tranzicioni i gjelbër, inovacioni territorial dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve natyrore”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Në dhjetor 2025 Tirana do të presë mbledhjen e radhës të Komitetit me përfaqësues nga 36 vende europiane, një mundësi unike për të promovuar partneritetet tona dhe për të shkëmbyer praktikat më të mira ndërmjet rajoneve.

Kryesimi i Shqipërisë konsiderohet më shumë se një përgjegjësi, një mundësi për të çuar më përpara vizionin europian të vendit.

“Është një tregues i rolit në rritje të vendit tonë në vendimmarrjen evropiane dhe një mundësi për të nxjerrë në pah kontributin e Shqipërisë në projekte konkrete me ndikim rajonal. Ne jemi të përkushtuar ta shfrytëzojmë këtë mandat, jo vetëm për të avancuar rrugën tonë drejt BE-së, por edhe për të sjellë rezultate të prekshme për qytetarët tanë, për bashkitë dhe për komunitetet”, deklaroi Eridana Cano, drejtoreshë e përgjithshme e SASPAC.

/S.K/KP/Interreg Europe/

Exit mobile version