UBT News

Shqipëria me pagën më të ulët në Evropë, thellohet diferenca me vendet e rajonit

Ndonëse po rritet vazhdimisht, paga minimale në Shqipëri vijon të mbetet më e ulëta në vendet e Evropës, që e zbatojnë një politikë të tillë.

Sipas të dhënave të fundit të përditësuara të Eurostat, në fillim të vitit 2023, paga minimale në Shqipëri ishte 297 euro/muaj.

Kjo pagë është 17% më e ulët sesa ajo e Maqedonisë së Veriut, që është e dyta në Evropë për nivelin më të ulët, me të dhënat për këtë shtet që janë të disponueshme për fundin e 2021-t.

Paga minimale në Shqipëri është tashmë 45% më e ulët sesa në Serbi, ku asnjë punonjës nuk merr më pak se 460 euro në 2023-n, shkruan OraNews.

Në Mal të Zi, paga minimale është 533 euro.

Në krahasim me fillimin e vitit 2018, më i hershmi që Eurostat raporton të dhënat, diferenca mes pagës minimale të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, që e zbatojnë këtë praktikë, është thelluar ndjeshëm.

Në 6-mujorin e parë 2018, paga minimale në Shqipëri ishte 100 euro më e ulët se në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Ndërsa në fillim të vitit 2023, paga minimale në Serbi është 192 euro më e lartë sesa në Shqipëri. Një punonjës në Mal të Zi merr minimalisht 234 euro më shumë se një i punësuar me pagë minimale në Shqipëri.

Mali i Zi e ka rritur ndjeshëm pagën minimale dy vitet e fundi, nga 331 euro në fund të vitit 2021 në 532 euro aktualisht. Edhe në Serbi, paga minimale është 460 euro, nga 366 euro ishte në fund të 2021-t.

Të njëjtat diferenca janë edhe për pagat mesatare në rajon, sipas një vëzhgimi të mëparshëm të Monitor, ku mesatarisht punonjësit shqiptarë paguhen 40% më pak se në vendet e tjera të rajonit.

Aktualisht paga minimale në vend është në nivelin e 34 mijë lekëve.

Më herët, kur në Kuvend diskutohej buxheti 2023, Kryeministri Rama ka deklaruar se paga minimale do të arrijë në 36 mijë lekë në 6 mujorin e parë të këtij viti, ndërsa deri në fund të viti do të shkojë në 38 mijë lekë.

“Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. Do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, do e çojmë në 38 mijë lekë të reja”, deklaroi asokohe kryeministri.

Paga minimale u rrit për herë të fundit më shtator të vitit të kaluar.

Sipas Eurostat, më 1 janar 2023, 22 nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së kishin një pagë minimale kombëtare duke përfshirë Qipron (që nga 1 janari 2023).

Vendet e BE-së pa pagë minimale kombëtare ishin: Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia. Pagat minimale mujore ndryshojnë shumë në shtetet anëtare, nga 399 euro në Bullgari në 2,387 euro në Luksemburg.

Ndër shtatë vendet kandidate dhe kandidate potenciale, pesë kishin një pagë minimale kombëtare (Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia dhe Turqia) ndërsa nuk ka Bosnje-Hercegovina (nuk ka të dhëna për Kosovën).

Exit mobile version