Përveç ndeshjeve kundër Italisë dhe Armenisë, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka konfirmuar edhe miqësoren e tretë të muajit nëntor për Kombëtaren e Shqipërisë.
Shqipëria do të përballet me Italinë më 16 nëntor, kurse tre ditë më vonë zhvillon ndeshje kundër Armenisë.
Tani, FSHF ka bërë me dije se “kuqezinjtë” do të përballen me Katarin në Marbella të Spanjës, ku ndeshja do të zhvillohet më 9 nëntor me fillim nga ora 18:30.
Të dyja federatat kanë arritur marrëveshjen për këtë miqësore dhe kanë zyrtarizuar akordin për atë që do të jetë përballja e tretë në histori mes dy vendeve.
Takimi i parë mes Shqipërisë dhe Katarit u zhvillua në muajin maj të vitit 2012, ku asokohe “kuqezinjtë” shënuan fitore 2:1 falë golave nga Elis Bakaj dhe Erion Bogdani.
Ndeshja e dytë u zhvillua më 22 maj të vitit 2016 në Austri, ku miqësorja përfundoi me fitore 3:1 të kombëtares shqiptare me gola të realizuar nga Arlind Ajeti, Ermir Lenjani dhe Armando Sadiku.
Pjesa më e madhe e lojtarëve që do të grumbullohen për këtë ndeshje do të jenë nga kampionati shqiptar, ashtu siç ndodhi në miqësoren me Arabinë Saudite.