Më 31 tetor zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Sipas rezultateve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në raundin e parë janë zgjedhur krerët e 32 komunave, 42 komuna dalin në balotazh.
Mbështetja e Aleancës për Shqiptarët ndaj Bilall Kasamit në Tetovë është e pakushtëzuar dhe e pakthyeshme, thonë nga partia e Ziadin Selës. Në raundin e dytë, Kasami hyn në garë për Tetovën me mbështetjen e ASH-së kundër Teuta Arifit të BDI-së. “Në garën zgjedhore pres lojë korrekte nga partnerët e koalicionit. Pres që votuesit e LSDM-së të më mbështesin mua për shkak se kemi koalicion parazgjedhor dhe ata votues tashmë kanë votuar për mua si bartës në listën e deputetëve”, vlerëson Kasami.
BDI shpreson në mbështetjen e LSDM-së
Mbështetje nga LSDM-ja për Tetovën kërkon edhe BDI-ja. Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani tha, se pavarësisht aktualitetit politik në Tetovë, LSDM-ja duhet ta mbështesë kandidaten Teuta Arifi nga BDI. “Ne apelojmë për mbështetjen e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha partive politike, e duam votën dhe mbështetjen e të gjithëve. Në kontekst të koalicioneve konkrete kërkojmë nga partneri i koalicionit të mbështesë platformën tonë dhe kandidaten tonë në Tetovë”, ka thënë Osmani.
Si do të pozicionohet LSDM-ja?
Kreu i LSDM-së Zoran Zaev konfirmon mbështetjen e partive të koalicionit për raundin e dytë të zgjedhjeve. Ai tha, se me mbështetjen e partnerëve vërtetohet stabiliteti i shumicës parlamentare. Por, Zaev thotë se në Tetovë do të vendosin votuesit cilin kandidat do ta mbështesin. Zaev tha se nuk mund t’i detyroj qytetarët të përcaktohen për njërin ose tjetrin opsion.
“Aty ku jemi me dy kandidatë të partnerëve të koalicionit, normalisht që mbështetësit tanë vendosin lirshëm. Askush nga ne nuk i mban votuesit tanë në xhep dhe as nuk ka kontroll ndaj tyre”, thekson Zaev.
Lideri i VMRO-së Hristijan Mickovski u ka bërë thirrje partive opozitare të bashkohen me qëllim rrëzimin e qeverisë, ndërsa theksoi se menjëherë pas zgjedhjeve lokale do të nisë bisedimet për formimin e shumicës së re parlamentare.
“Zgjedhjet treguan se ka disponim serioz antiqeveritar dhe pakënaqësi nga pushteti, ndërsa votat opozitare dhe qëllimi i tyre i përbashkët është ndryshimi i pushtetit dhe ardhmërisë së re të Maqedonisë”, deklaroi Mickovski.
Si do të ndikojnë zgjedhjet lokale në qeverinë qendrore
Vladimir Bozhinovski drejtues i Institutit për Kërkime Politike në Shkup thotë, se kryeministri Zaev ditëve në vazhdim përpos betejës për të fituar komunat ku kandidatët e partisë së tij garojnë, do të përballet edhe me sfidën e kalkulimeve për të ruajtur stabilitetin e qeverisë. Balotazhi në Tetovë mund të prodhojë aleanca të reja mes partive shqiptare që aktualisht janë pjesë e qeverisë, me partinë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE. “Në Tetovë kemi një situatë ku votat e opozitës do ta përcaktojnë fituesin. Pikërisht këtu fillojnë kalkulimet për një shumicë të re parlamentare”, thotë ai.
Arsim Sinani nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare e Studime Ballkanike, thotë se gara për Tetovën do të jetë më e vështirë. “Zaevi në njërën anë do të duhet të luajë rolin për të sjellë fitore për partinë e tij në bllokun maqedonas, që duket se do të jetë e vështirë për të, dhe nga ana tjetër do të duhet të luajë rolin e zjarrfikësit në mes partnerëve të koalicionit qeveritar, që gjithashtu do të jetë e vështirë”, thotë Sinani.
Aleksandar Kërzhallovski nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtarë thotë se LSDM-ja është ndëshkuar në raundin e parë si rrjedhojë e politikave të gabuara në qeverisjen qendrore. “Ky rezultat është një goditje e madhe për politikat e gabuara të LSDM-së dhe koalicionit qeverisës. Qytetarët treguan se janë të interesuar për zgjidhjen e problemeve konkrete dhe jo për politika të mëdha”, thotë Kërzhallovski..DW