Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, do të mungojë në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë stërvitjes.
Gjimshiti pësoi dëmtimin gjatë një seance stërvitore të hënën, ndërsa po zhvillonte një ndeshje miqësore me ekipin U-21. Pas kontrolleve mjekësore dhe një rezonance magnetike, u konfirmua se ai ka pësuar një tërheqje muskulore dhe ka nevojë për disa ditë pushim për t’u rikuperuar. Kapiteni ka nisur procesin e rikuperimit te klubi i tij, Atalanta.
Në këto kushte, trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë mbrojtësin e Kombëtares U-21, Adrian Bajramin, për të zëvendësuar Gjimshitin në këto ndeshje. Bajrami ka filluar stërvitjen me ekipin e parë, ndërsa mungesa e Gjimshitit është e rëndësishme, duke pasur parasysh që edhe Arlind Ajeti është jashtë formacionit pas rikthimit të tij nga një dëmtim.
Në mungesë të Gjimshitit dhe Ajetit, qendra e mbrojtjes shqiptare është e dobësuar. Silvinjo do të besojë në Ardian Ismajlin dhe Marash Kumbullën për të formuar çiftin e mbrojtësve qendrorë. Lajmi i mirë është se Kumbulla ka filluar të luajë rregullisht me Espanyolin, duke ofruar një garanci më të madhe për ekipin.
Për të përforcuar repartin e mbrojtjes, do të jenë Mario Mitaj dhe Elseid Hysaj ata që do ta nisin nga minuta e parë në ndeshjen ndaj Ukrainës më 7 shtator.
Në një tjetër aspekt të formacionit, Silvinjo është duke menduar nëse t’i besojë Qazim Laçit nga minuta e parë dhe ta spostojë Bajramin në krah, duke e sakrifikuar kështu Arbër Hoxhën, i cili është në formë të mirë. Një alternativë tjetër është ruajtja e Laçit për pjesën e dytë, duke e përdorur atë si një forcë freskie në momentet e nevojshme. Në këtë rast, Bajrami do të bashkohej me Asllanin dhe Ramadanin në mesfushë, ndërsa Seferi ose Hoxha do të fillonin në krahë, me Hoxhën që ka më shumë mundësi për të nisur titullar.
Në krahun tjetër, Asani është i konfirmuar, ndërsa në majën e sulmit do të luajë Rei Manaj./UBTNews/