Një grup prej 20 ekspertësh dhe shkencëtarësh ndërkombëtarë të fushës së shëndetësisë dhe klimës i kanë dërguar një letër të hapur FIFA-s, ku paralajmërojnë se udhëzimet aktuale për mbrojtjen nga nxehtësia gjatë Kupës së Botës janë të pamjaftueshme. Sipas studiuesve nga Britania e Madhe, SHBA, Kanadaja dhe Australia, rregullat e shtëpisë botërore të futbollit nuk përkojnë me shkencën aktuale dhe i vënë lojtarët në rrezik serioz për lëndime apo probleme shëndetësore.
Paralajmërimi vjen për shkak se temperaturat në 14 nga 16 stadiumet e turneut që do të mbahet në SHBA, Kanadà dhe Meksikë pritet të kalojnë në nivele kritike. Në disa pjesë të SHBA-së jugore dhe Meksikës veriore, termometri pritet të shënojë deri në 40 gradë Celsius, ku kombinimi i nxehtësisë me lagështinë e lartë krijon stres ekstrem në trupin e sportistëve.
Në anën tjetër, FIFA ka reaguar duke thënë se është plotësisht e përkushtuar për sigurinë e pjesëmarrësve. Organizatorët kanë paraparë masa si pushime të detyrueshme 3-minutëshe për freskim në çdo pjesë loje, ulëse me klimë të kontrolluar për stafin dhe rezervistët, si dhe lehtësime për tifozët, duke përfshirë zonat me hije dhe shpërndarjen e shtuar të ujit. Megjithatë, ekspertët insistojnë për protokolle më të rrepta, duke përfshirë edhe mundësinë e shtyrjes së ndeshjeve në kushte ekstreme.
