UBT News

Shkëlqen në Zvicër, Lutfi Dalipi shpallet lojtari i javës

Lutfi Dalipi po kalon nëpër një formë të jashtëzakonshme në Superligën e Zvicrës. Futbollisti ofensiv i Vaduzit është shpallur lojtari më i mirë i javës së shtatë në elitën e futbollit zviceran.

Dalipi shkëlqeu në fitoren 3:1 ndaj Lausannes, ku realizoi një gol dhe regjistroi dy asistime.

20-vjeçari ka shënuar tre gola dhe shtatë asistime në shtatë ndeshjet e para të sezonit. Vaduz ka realizuar gjithsej 16 gola, ndërsa Dalipi ka marrë pjesë drejtpërdrejt në 10 prej tyre, një rekord në kampionat.

Sipas Ligës Zvicerane të Futbollit (SFL), Dalipi ka vendosur një rekord të veçantë.

“Lojtari i FC Vaduz është bërë futbollisti i parë 20-vjeçar ose më i ri që arrin kuotën e 10 pikëve – 3 gola dhe 7 asistime – në shtatë ndeshjet e para të një edicioni të Superligës”, ka njoftuar SFL.

Dalipi është i huazuar te Vaduz për këtë sezon nga Young Boys, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2030.

Dalipi mes Zvicrës, Shqipërisë dhe Kosovës

Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që për Dalipin të rritet interesimi edhe në nivel ndërkombëtar. Ai ka gjashtë paraqitje me Zvicrën U20, ndërsa së fundmi është kontaktuar edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.

20-vjeçari ka mundësi të luajë edhe për Shqipërinë apo Kosovën, ndërsa në aspektin e prejardhjes sportive ekziston edhe mundësia e Portugalisë.

Megjithatë, konkurrenca te Portugalia dhe Zvicra është e madhe. Për këtë arsye, në të ardhmen Dalipi mund të jetë përballë një vendimi të rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Me formën që po tregon në Zvicër, talenti 20-vjeçar tashmë po tërheq vëmendjen dhe pritet që zgjedhja e tij për kombëtaren të jetë një prej temave interesante të futbollit shqiptar dhe kosovar.

D.L

Exit mobile version