UBT News

Shkelja e hapësirës ajrore: Rumania alarmon avionët luftarakë F-16

Rumania ka ngritur me urgjencë në ajër dy avionë luftarakë F-16 gjatë natës, pasi sistemet e mbikëqyrjes zbuluan pesë objektiva ajrore pranë kufirit me Ukrainën, ku njëri prej tyre depërtoi në hapësirën ajrore kombëtare.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Rumanisë bëri të ditur përmes një deklaratë zyrtare se incidenti ndodhi gjatë natës mes 12 dhe 13 gushtit.

“Sistemi i mbikëqyrjes me radar i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Rumanisë zbuloi, natën e 12-13 gushtit, në orën 01:27, një grup prej pesë objektivash ajrore në zonën Ismail, mbi territorin ukrainas, pranë kufirit lumor me Rumaninë”, thuhet në njoftim.

Sipas dikasterit të mbrojtjes, dy avionët F-16 u ngritën në ajër për të monitoruar nga afër situatën e krijuar.

“Radarët tokësorë zbuluan një objektiv ajror që depërtoi në hapësirën ajrore kombëtare, afërsisht 2 km në jug të Pardinës. Objektivi qëndroi në hapësirën ajrore kombëtare për rreth 10 minuta, duke lëvizur përgjatë degës Chilia, përpara se të largohej nga territori rumun drejt Ukrainës”, sqarohet më tej në deklaratë.

Ministria rumune shtoi se menjëherë pasi objektivi fluturoi mbi hapësirën ajrore të Rumanisë, u raportuan shpërthime të fuqishme brenda territorit ukrainas. /E.A/

Exit mobile version