Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.
Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.
Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.
Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.
Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.
D.L
