Partia Radikale Serbe e Vojisllav Sheshelit ka kërkuar që të dënohet me burg kushdo që publikisht thotë se në Srebrenicë pati gjenocid.
Madje, ky subjekt politik ka ndërmend inicimin e procedurave për ndryshime në Kodin Penal të Serbisë për ta mundësuar një gjë të tillë.
Reagimi i SRS-së erdhi pasi Partia e Aksionit Demokratik, e kryesuar nga boshnjaku i Novi Pazarit, Sulejman Ugljanin, i kërkoi Kuvendit të Serbisë që me një rezolutë ta pranojë se në Srebrenicë është kryer gjenocid.
“Këto pretendime të rrezikshme antiserbe duhet të priten në rrenjë dhe për këtë SRS i bënë thirrje qeverisë së Serbisë që të kërkojë nga Kuvendi ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal në mënyrë që pohimet publike se në Srebrenicë u krye gjenocid, të konsiderohen si vepra penale dhe të dënohen deri në 20 vjet burgim”, thuhet në një kumtesë të kësaj partie, përcjell Klankosova.tv
Nga partia e Sheshelit, që është vetë ishte i akuzuar për krime lufte, nga Tribunali i Hagës, kanë thënë që Serbia duhet të mbrohet nga “qëllimet e rrezikshme të Perëndimit dhe agjentëve brenda në Serbi” që Serbinë dhe popullin serb t’i shpallin gjenocidialë./KlanKosova.tv