UBT News

Shembet pjesërisht një ndërtesë shtatëkatëshe në Stamboll, disa persona mbeten nën rrënoja

Një ndërtesë shtatëkatëshe është shembur pjesërisht në Stamboll, duke shkaktuar një operacion të madh kërkim-shpëtimi për nxjerrjen e personave që dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:40 sipas kohës lokale, në lagjen Cevizli të distriktit Maltepe. Tre katet e para të ndërtesës u shembën, ndërsa banorët e kateve të sipërme u evakuuan në mënyrë të sigurt.

Sipas autoriteteve, ndërtesa ka gjithsej 12 apartamente dhe rreth 33 banorë, ndërsa në katin përdhes ndodheshin edhe disa biznese, përfshirë një punishte tekstilesh.

Ekipet e kërkim-shpëtimit, të ndihmuara edhe nga qentë nuhatës, kanë nxjerrë deri tani gjashtë persona, mes tyre edhe tre fëmijë. Të shpëtuarit janë dërguar në spitalet e afërta për trajtim mjekësor.

Megjithatë, operacioni vijon, pasi besohet se persona të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja, transmeton Telegrafi.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, tha se autoritetet kanë arritur të vendosin kontakt me gjashtë nga personat që dyshohet se ndodheshin në pjesën e shembur.

“Është një ndërtesë me kat përdhes dhe gjashtë kate. Sipas të dhënave zyrtare, aty jetojnë 33 persona. Katër apartamente janë dëmtuar”, tha Gül.

Ai shtoi se, sipas të dhënave të autoriteteve, dy persona nuk ndodheshin në shtëpi, ndërsa gjashtë të tjerë tashmë janë shpëtuar.

Në vendngjarje janë angazhuar ekipet e zjarrfikësve, shërbimet shëndetësore, forcat e sigurisë dhe AFAD, agjencia shtetërore turke për menaxhimin e emergjencave të mëdha.

Ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike, Murat Kurum, tha se të gjitha institucionet shtetërore janë mobilizuar.

“Puna po vazhdon pa ndërprerje, me shumë kujdes dhe vendosmëri, duke mos lënë asnjë mundësi pa shqyrtuar, në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt te qytetarët tanë nën rrënoja”, deklaroi Kurum. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkakun e shembjes së ndërtesës.  /TRT/

 

 

Exit mobile version