Ushtarët do të mbërrijnë brenda 48 orëve për të siguruar siguri dhe mbështetje për personelin e ambasadës amerikane në Kabul.
Planifikuesit ushtarakë amerikanë dhe perëndimorë po përshpejtojnë planet për evakuimin e stafit të ambasadës në Afganistan, pasi Kabuli po kërcënohet gjithnjë e më shumë nga talebanët, shkruan The Guardian, transmeton UBT News.
Pentagoni tha të enjten se do të dërgojë përkohësisht rreth 3,000 trupa shtesë amerikanë në Afganistan për të ndihmuar në tërheqjen e personelit të ambasadës amerikane në ambasadën në Kabul.
Ushtarët do të ofrojnë mbështetje shtesë tokësore dhe ajrore për sigurinë e personelit amerikan i cili do të transportohet me aeroplan në aeroportin e Kabulit, sipas zyrtarëve.
Vendet tjera po planifikojnë të reagojnë njejtë
Vende të tjera pritet të ndjekin shembullin pasi ritmi i fitoreve të talebanëve ka vazhduar, të cilët pretendojnë kapjen e qytetit të dytë dhe të tretë më të mëdhenj të vendit, Kandahar dhe Herat.
Disa vende tashmë kanë filluar të tërheqin stafin, edhe Turqia po negocion një plan sigurie për aeroportin në kryeqytet që do të ishte thelbësor për çdo evakuim.
Zhvillimet vijnë pas një vlerësimi të inteligjencës amerikane se Kabuli mund të okupohet në 30 deri në 90 ditë, me këtë rast u dha edhe një paralajmërim për qytetarët amerikanë që të largohen nga vendi menjëherë në çfarëdo mënyre që të munden. Gjermania të enjten gjithashtu u tha qytetarëve të saj që të largohen.
Ndërsa ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar, tha të enjten se vendi i tij po kërkonte garanci financiare, logjistike dhe diplomatike, duke cituar frikën se misionet diplomatike do të tërhiqeshin plotësisht [nga Afganistani] nëse aeroporti ishte i mbyllur.
“Për këtë arsye ne vazhdojmë të ndajmë pikëpamjen tonë se aeroporti duhet të mbetet i hapur. Në ditët në vijim kjo çështje do të marrë formë”, tha ai në një deklaratë të ministrisë së mbrojtjes.
Pas vendimit të Indisë për të tërhequr stafin konsullor nga qyteti verior i rrethuar Mazar-i Sharif, Danimarka tha të enjten se do të tërhiqte 45 shtetas afganë që punonin për qeverinë e saj dhe do t’u ofronte atyre qëndrim në vendin evropian për dy vjet.
Plani i miratuar të mërkurën vlen për njerëzit që punuan në ambasadën daneze në Kabul dhe si përkthyes për trupat daneze.
“Situata e sigurisë në Afganistan është serioze. Talibanët po fitojnë terren dhe zhvillimi po përshpejtohet më shumë nga sa kishin frikë shumë [njerëz]”, tha ministria e Punëve të Jashtme daneze pasi plani i evakuimit mori mbështetje të gjerë politike.
“Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për të ndihmuar afganët të cilët tani janë të kërcënuar për shkak të lidhjes dhe kontributit të tyre në përfshirjen e Danimarkës në Afganistan”, tha ministria./UBTNews