UBT News

Shaqiri për festimin me shqiponjë: Ishte reagim emocional pas provokimeve

Ish-reprezentuesi i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka folur sërish për festimin e tij ikonike me shqiponjën dykrenare në ndeshjen e Kupës së Botës kundër Serbisë, duke e cilësuar atë si një reagim emocional të nxitur nga tensionet dhe provokimet para e gjatë takimit.

Duke reflektuar mbi atë episod, Shaqiri u shpreh se synimi i tij i vetëm ishte suksesi sportiv, por situata mori përmasa politike për shkak të rrethanave dhe trajtimit mediatik të asaj kohe. Ai pranoi se të gjitha palët e tepruan me reagimet, ndërsa shtoi se publiku në Zvicër nuk e njihte prapavijën historike që çoi te ai gjest, të cilin e bënë edhe Granit Xhaka dhe Stephan Lichtsteiner.

“Besoj se mediat kanë shkruar shumë. Ka pasur provokime para dhe gjatë ndeshjes. Në fund, për mua ishte e rëndësishme të fitoja në aspektin sportiv, jo politik, edhe pse më pas gjithçka mori një dimension politik. Po, ishte një reagim emocional. Pas gjithë asaj që ishte shkruar dhe provokimeve që kishin ndodhur, besoj se të gjithë e tepruam, përfshirë edhe mediat”, tha Shaqiri.

Sipas futbollistit me prejardhje nga Kosova, perceptimi rreth atij momenti do të ishte krejtësisht ndryshe nëse do të ndodhte sot.

“Shumë zviceranë nuk e kuptuan dhe nuk e njihnin historinë që qëndronte pas këtij veprimi, arsyen pse unë, Graniti dhe Stephani e bëmë atë gjest. Besoj se kishte shumë emocione të përfshira. Mendoj se sot ky veprim nuk do të konsiderohej aq i rëndë“, tha Shaqiri. /E.A/

 

Exit mobile version