Edhe basketbolli kosovar, ashtu sikurse të gjitha sportet tjera, u detyrua të marr një kahe tjetër të zhvillimeve për shkak të pandemisë Covid-19. Në fakt, paraqitja e këtij virusi solli deri te ndërprerja totale e zhvillimit të garave basketbollistike, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare.
Kryetari i rizgjedhur i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, thotë për KosovaPress se edhe pse viti filloi në mënyrën më të mirë të mundshme me ndeshje të mira dhe me salla të mbushura, në fund të prillit u detyruan t’i ndërpresin garat për shkak të pandemisë Covid-19.
“E kishim një vit që startuam jashtëzakonisht mirë edhe në kuptim të organizimit të brendshëm të garave në Kosovë, por edhe në kuptim të rezultateve të cila i arriti reprezentacioni i Kosovës gjatë muajit shkurt. I kishim sallat plot pothuajse të gjitha, e kishim një garë shumë të ngushtë ku secili-secilin e mundte që e bënë basketbollin të jetë atraktiv dhe e bënë basketbollin që të jetë ai që është, si sporti më të bukur dhe më dinamik. Por për fat të keq ndodhi ajo që ndodhi dhe më 14 mars u desh që t’i pezullojmë garat fillimisht, pastaj më 31 mars i ndërpremë përfundimisht garat për seniorë për Superligën, pastaj në fund të prillit u desh t’i ndërprejmë të gjitha garat sepse nuk kishte më kuptim që të përpiqemi që t’i vazhdojmë ato”, tha Fetahu.
Megjithatë, Fetahu duke folur për KosovaPress, shton se rifillimi i garave në muajit tetor po ecën shumë mirë, ekipet janë konsoliduar dhe se konkurrenca në të gjitha kategoritë, si te meshkujt ashtu edhe te femrat është shumë e ashpër.
“Stinori i ri në tetor të këtij viti filloi them më fuqishëm se sa që kam pritur. Në dalje prej pandemisë, klubet u mobilizuan jashtëzakonisht mirë. Shumica prej tyre arritën që të bëjnë ekipe konkurruese dhe filluam një garë menjëherë, një garë shumë të fortë të Superkupës së Republikës, e pastaj vazhduam me kampionatin, i cili siç po e shihni edhe tani në fund të këtij viti na ka sjellë shumë të papritura, shumë rezultate që ndoshta kanë qenë të paparashikueshme para dy-tre muajsh kur filloi kjo garë, por ia që kemi një tabelë shumë interesante në Superligën e Kosovës, kemi gjithashtu një garë të mirë edhe tek femrat”, deklaroi Fetahu.
Kryetari i FBK-së gjithashtu përmendi edhe lehtësirat që kjo federatë ua ofroi klubeve të basketbollit kosovar edhe pse ata nuk kishin mundësi që t’i ndihmonin financiarisht për shkak se FBK-ja nuk e ka këtë fuqi financiare.
“Ajo që ne si federatë kemi bërë është që i kemi liruar klubet prej te gjitha obligimeve të cilat i kanë pasur ndaj nesh, por nuk kemi arritur natyrisht që t’i ndihmojmë ato financiarisht sepse Federata e Basketbollit të Kosovës nuk e ka këtë fuqi financiare, është fatkeqe kjo, por do të thotë përveç besoj Federatës së Futbollit nuk ka ndonjë federatë tjetër e cila iu ka dalë në ndihmë me mjete financiare klubeve të veta sepse nuk e kemi këtë mundësi. Prej shtetit, ju e dini që shteti ka ndarë një shumë të caktuar parash për të ndihmuar t’iu gjitha klubeve. Ne i kemi marrë mjetet dhe jemi duke i kanalizuar shpërndarjen e tyre te klubet dhe në anën tjetër grumbullimin e dokumenteve dhe faturave të cilat e vërtetojnë krijimin e shpenzimeve nga klubet për t’i dërguar të gjitha në ministri. Secili klub i Superligës së Kosovës te meshkujt dhe te femrat është përkrahur me nga 5000 euro, secili klub i ligave të para për meshkuj dhe për femrat është përkrahur më nga 3000 euro dhe të gjitha klubet e ligës së dytë të meshkujve u përkrahën me nga 2000 euro”, theksoi Fetahu.
E sa i përket rikthimit të tifozëve në palestrat sportive, Fetahu ka thënë se nuk ka shenja pozitive në këtë drejtim dhe se ai nuk beson që brenda këtij stinori do të rikthehen tifozët nëpër salla.
“Do të doja të jem optimist për këtë, por duhet thënë qartë se nuk besoj që këtë stinor do të kemi mundësi që t’i kthejmë shikuesit nëpër salla. Nga ato diskutime dhe nga ato zhvillime të cilat unë i di, do të thotë sa i përket basketbollit, së paku nëpër salla do të jetë jashtëzakonisht e vështirë”, tha ai.
Në fund, Arben Fetahu ka uruar që vitit 2021 të sjellë shëndet për sportistët vendorë dhe për të gjithë popullin e Kosovës.