Kongresisti republikan Keith Self ka shprehur “besim jashtëzakonisht të fortë dhe bipartizan” të Kongresit amerikan në udhëheqjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në një letër e tij mbështetëse, theksoi se “vizioni dhe përkushtimi juaj i palëkundur ndaj vlerave demokratike ofrojnë stabilitet, vazhdimësi dhe drejtim të qartë strategjik në një moment vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.
Duke vlerësuar rolin e presidentes në forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit, Self rikonfirmoi mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës për objektivat strategjike të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe thellimin e partneritetit euroatlantik.
“Letra po ashtu thekson se Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen për objektivat strategjike dhe ekonomike afatgjata të Kosovës, me theks të veçantë në inkurajimin e anëtarësimit në NATO dhe forcimin e partneritetit euroatlantik si shtylla kyçe për stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet në Ballkan, objektiva për të cilat Presidentja ka punuar përgjatë gjithë mandatit të saj”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës së Kosovës.
Kjo deklaratë konsiderohet një konfirmim i fuqishëm i mbështetjes amerikane për lidershipin e Presidentes Osmani dhe për drejtimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.
