Carlo Conti, drejtor artistik dhe prezantues i Festivalit të Sanremos, ka zbuluar detaje mbi edicionin e ardhshëm të festivalit gjatë fjalës së tij në ngjarjen ‘Luce!’ në Firence.
Conti theksoi se prioriteti i tij mbetet përzgjedhja e këngëve dhe artistëve, duke e krahasuar këtë proces me zgjedhjen e “biftekut më cilësor”.
“Çdo vit mbërrijnë rreth 500–600 këngë për Sanremo, dhe këtë vit duhet të zgjedhim 26 nga Big (artistët e mëdhenj), ndoshta deri në 28,” tha ai, duke shtuar se vitin e kaluar ishte shumë e vështirë përzgjedhja për shkak të shumësisë së këngëve të bukura.
Sa i përket pjesëmarrjes në Eurovision, Conti po ashtu sqaroi se rregullat mbeten të njëjta si vitin e kaluar: fituesi i Sanremos shkon automatikisht në festivalin evropian.
Në rast të tërheqjes, moskualifikimit ose anulimit, drejtimi artistik i Sanremos dhe RAI-t do të zgjedhin një artist zëvendësues.
Si shembull, ai përmendi rastin e këtij viti, kur Olly u tërhoq dhe vendin e tij e mori Lucio Corsi, i cili kishte përfunduar i dyti në festival. Conti përfundoi duke thënë se rregullorja funksionoi mirë dhe nuk ka nevojë të ndryshohet. /A.Z/UBT News/