UBT News

Samiti i Jerevanit: Kurti dhe Rama bashkohen me liderët evropianë për sigurinë dhe sfidat gjeopolitike

Në Jerevan të Armenisë kanë nisur sot punimet e edicionit të tetë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), një forum që ka bërë bashkë rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish. Në këtë takim të nivelit të lartë, Kosova përfaqësohet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa Shqipëria nga kryeministri Edi Rama.

Pritësi i këtij samiti, kryeministri armen Nikol Pashinyan, uroi mirëseardhjen për liderët evropianë duke u shprehur: “Është kënaqësi e madhe të mirëpres kolegët dhe partnerët e EPC-së në Jerevan, i cili sot është bërë zemra rrahëse e Evropës. Pres me padurim diskutimet tona mbi temat kyçe dhe angazhimet drejt partneriteteve më të forta dhe premtuese.”

Ndonëse zyrtarisht samiti fokusohet në qëndrueshmërinë demokratike, sigurinë ekonomike dhe mbrojtjen nga kërcënimet hibride, vëmendja pritet të jetë te diskutimet anësore për sigurinë energjetike dhe zhvillimet e reja gjeopolitike. Presidenti rumun Nicușor Dan veçoi energjinë si prioritet, ndërsa kryeministri polak Donald Tusk nënvizoi se marrëdhënia me SHBA-në mbetet e pazëvendësueshme për kontinentin.

Për shkak të afërsisë gjeografike të Armenisë me Iranin, kriza në Lindjen e Mesme do të jetë pikë qendrore e bisedimeve, ashtu siç do të jetë edhe analiza mbi politikat e presidentit amerikan Donald Trump dhe ndikimin e tyre në Evropë. Ky samit shënon edhe një moment historik me pjesëmarrjen e kryeministrit kanadez Mark Carney, lideri i parë nga një vend jo-evropian që bëhet pjesë e këtij formati.

Takimi bashkëkryesohet nga Antonio Costa, president i Këshillit Evropian, dhe Nikol Pashinyan, të cilët bënë thirrje për bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar për të garantuar paqen globale.

 

Exit mobile version