Për boksieren kosovare, Donjeta Sadiku, 2023-ta ishte vit mjaft i suksesshëm duke u shpallur kështu kampione e Ballkanit në konkurrencën e saj, e po ashtu u rendit edhe si e pesta në Lojërat Evropiane. Ajo thekson se përtej këtyre sukseseve, kishte pritje më të mëdha nga vetja e saj.
“2023 për mua ka qenë një vit i suksesshëm, e pesta në Lojërat Evropiane, e para në Ballkan dhe shumë fitore të tjera në garat ndërkombëtare. Mirëpo vitin 2023 nuk e kam parashikuar dhe nuk e kam pritur kështu siç ka shkuar, mirëpo ka qenë një mësim shumë i madh për mua edhe jam shumë e kënaqur me gjërat ashtu siç kanë rrjedhur sepse gjatë këtij viti, kam mësuar shumë për veten time dhe për boksin”, tha Sadiku.
Ajo pranon se kishte synuar që kualifikimin për në Lojërat Olimpike Parisi 2024, ta siguronte gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi.
“Të them të drejtën unë kam pritur që do ta arrijë kualifikimin në Lojërat Evropiane, të cilat janë mbajtur në muajin qershor në Poloni, mirëpo nganjëherë nuk na shkon ashtu siç mendojmë, mirëpo nga ato lojëra kam mësuar shumë për veten time sa i përket boksit, kështu që jam e kënaqur ashtu siç kanë shkuar gjërat”, shtoi Sadiku.
Sadiku shprehet e habitur se si edhe pas këtyre sukseseve nuk ka marrë mbështetjen e duhur nga ana e shtetit.
“Pasi që jam shpallur kampione e Ballkani nuk është se kam marrë ndonjë mbështetje nga vendi ynë, mirëpo që unë jam e kënaqur nga vetja sepse kam arritur që të shpallem edhe si boksierja më e mirë e Ballkanit. Kështu që për mua është një rezultat shumë i mirë dhe që më shtyn të punoj edhe më shumë”, u shpreh boksierja kosovare.
Vitin 2024, kampionia ballkanike e sheh si vit të realizimit të ëndrrës së saj të madhe, që të ngrisë flamurin e Kosovës në Paris duke fituar medalje atje.
“Viti 2024 më pret me shumë gara, kam para vetes shumë sfida. Të them të drejtën vitit 2024 është viti në të cilin më jepet mundësia për ta realizuar një ëndërr të cilën e kam pasur gjatë gjithë jetës sime dhe është qëllimi im kryesor në boks, në karrierën time. Kështu që përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë më trajneren time Marjola Sallauka edhe të gjitha gjërat varen prej nesh. Ne do të japim maksimumin tonë që të kemi paraqitje sa më të mirë në Paris edhe pse jo të ngrisim flamurin e Kosovës në Paris”, theksoi Sadiku.
Për t’i realizuar objektivat e saj, Donjeta po stërvitet fuqishëm, por për fat të keq në kushte tejet të vështira dhe për këtë situatë ajo shprehet krejtësisht e zhgënjyer.
“Pas dy medaljeve që i kam siguruar në vitin 2022, botërorin dhe evropianin, unë kam pritur që do ta kem një mbështetje pak më ndryshe dhe një trajtim pak më ndryshe se që e kam pasur më herët, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Mirëpo, unë kam thënë që unë nuk dorëzohem asnjëherë, salla normalisht që nuk i plotëson kushtet e duhura, sidomos për një sportiste e cila synon të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Parisi 2024, mirëpo unë dhe trajnerja ime nuk do të dorëzohemi asnjëherë. Thash që ajo çfarë varet nga ne do ta japim maksimumin tonë që të jemi formën më të duhur edhe ta përfaqësojmë vendin tonë Kosovën ashtu siç duhet. Kështu që unë po vazhdoj në këto kushte të ushtroj dhe të mos ndalem”, tha Sadiku.
Besim të madh te puna e Sadikut ka edhe vetë trajnerja e saj, Marjola Sallauka. Ajo shprehet e bindur se me punën që po bëhet, do të arrihet edhe norma për kualifikim në Lojërat Olimpike.
“Po punojmë fort për garat e ardhshme, çfarë ka shkuar…ka shkuar edhe po punojmë edhe më fort për kualifikuese e ardhshme…Ne synojmë që të kualifikohemi dhe besoj shumë në Donjetën, në punë tonë që po e realizojmë, në përkushtimin e saj edhe po besoj shumë që do të kualifikohemi”, tha Sallauka.
Garat për ta fituar normën që siguron pjesëmarrjen në Lojërat Olimpikë Parisi 2024, Donjeta Sadiku do t’i nisë në muajin shkurt.