UBT News

Rubio viziton Romën dhe Vatikanin, ndërsa lufta me Iranin tensionon raportet SHBA-Evropë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Romën dhe Vatikanin nga data 6 deri më 8 maj.

Zyrtarët e përshkruajnë këtë si përpjekje për të riparuar marrëdhëniet e tensionuara me partnerët kyç evropianë, në kohën kur lufta me Iranin po thellon përçarjet përtej Atlantikut.

Sipas një njoftimi të Departamentit të Shtetit, udhëtimi do të shërbejë “për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

Rubio do të takohet me udhëheqjen e Selisë së Shenjtë për të diskutuar situatën në Lindjen e Mesme dhe interesat e ndërsjella në Hemisferën Perëndimore.

“Takimet me homologët italianë do të përqendrohen në interesat e përbashkëta të sigurisë dhe shtrirjen strategjike”, tha zëdhënësi Tommy Pigott më 4 maj.

Një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili foli për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, tha se koha e udhëtimit tregon për rëndësinë e tij.

“Udhëtimi i sekretarit Rubio është një hap i rëndësishëm në diplomaci”, tha ai, duke shtuar se fakti që vizita zhvillohet në këtë kohë, tregon se sa shumë rëndësi u kushton administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, marrëdhënieve me Italinë dhe Selinë e Shenjtë.

Vizita zhvillohet në një kohë të tensioneve në rritje midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë, si për shkak të konfliktit me Iranin, ashtu edhe për mosmarrëveshje më të gjera politike, përfshirë tregtinë dhe angazhimet ushtarake./REL/

 

Exit mobile version